Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, reagoi ashpër lidhur me atë që e cilësoi si një “sulm të paprecedentë” nga administrata tatimore ndaj bizneseve të lidhura me Hysenbelliu Group, duke pretenduar se veprimet lidhen me investigimet dhe raportimet e mediave të këtij grupi.
Gjatë fjalës së tij, Toska deklaroi se është informuar se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ndërmarrë kontrolle dhe masa ndaj bizneseve të pronarit të televizionit, duke e lidhur këtë zhvillim me punën investigative të medias.
“Jam vënë në dijeni sot se ndaj News24 dhe bizneseve të pronarit që i zotëron është ndërmarrë një sulm nga Tatimet, sepse ky televizion – më i miri informativ në Shqipëri – nëse do të hidhej në bursë do të kishte një vlerë rreth 80 milionë euro. Ky televizion bën gazetari, oponencë dhe verifikim faktesh, por këto nuk i pëlqejnë ministrit të Financave, Petrit Malaj”, u shpreh ai.
Gazetari përmendi edhe ministrin e Financave, Petrit Malaj, si dhe drejtoreshën e Tatimeve, Erilinda Lala, për të cilët tha se, sipas tij, po ushtrojnë presion ndaj bizneseve të lidhura me televizionin.
“Këto nuk i pëlqejnë ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili – sipas meje – ka në dorë drejtoreshën e Tatimeve, Erilinda Lala, që vjen dhe vendos gjoba ndaj bizneseve të këtij televizioni për të penguar fjalën e lirë. Synojnë të ndalin çdo investigim që nxjerr në pah abuzimet e tyre”, deklaroi Toska.
Në vijim, ai paralajmëroi se do të kërkojë reagim edhe nga partnerët ndërkombëtarë për këtë çështje.
“Sapo kërcënohet media në këtë vend, kjo është një çështje serioze. Për Erilinda Lalën dhe Petrit Malajn do t’i kërkoj ambasadës amerikane që të merren masa dhe të shpallen ‘non grata’ për cenim të medias dhe të fjalës së lirë, si dhe për presion ndaj një media që është pasuri kombëtare si News24”, u shpreh gazetari gjatë intervistës.


