Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare në Gaza njoftoi se 1.109 nga 1.244 xhamitë në Rripin e Gazës janë shkatërruar si rezultat i sulmeve izraelite, raporton Anadolu.
Në një deklaratë të bërë nga një zyrtar i ministrisë në një konferencë për shtyp të mbajtur para xhamisë së rrënuar Omari në Gaza, u tha se 89 për qind e xhamive në Gaza janë shkatërruar.
Gjithsej 834 xhami janë shkatërruar plotësisht, ndërsa 275 janë kthyer në gjendje të papërdorshme.
Zyrtari palestinez tha se dëmi total material i shkaktuar nga shkatërrimi i qendrave fetare dhe administrative, pronave të vakëfit, varreve dhe xhamive në Gaza ka tejkaluar mbi 500 milionë dollarë.
Ai theksoi se ushtria izraelite ka shkatërruar po ashtu tri kisha në Gaza.
– Ushtria izraelite shënjestroi edhe varreza
Siç u njoftua, 40 nga 60 varrezat në Gaza kanë qenë në shënjestër të sulmeve të ushtrisë izraelite. Po ashtu u theksua se 21 varreza që kanë qenë në shënjestër të sulmeve janë shkatërruar plotësisht.
Zyrtari palestinez tha se 643 prona të vakëfit janë shkatërruan dhe shërbimet e edukimit fetar të ofruara atje janë ndalur.
U raportua se 315 imamë dhe predikues nga Ministria e Vakëfeve kanë humbur jetën në sulmet izraelite dhe 27 persona nga ministria janë arrestuar nga ushtria izraelite.
Ministria e Vakëfeve në Gaza i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe vendeve islame që të mbështesin kompensimin e shkatërrimit dhe rivendosjen e institucioneve fetare në shërbimin publik.
Në deklaratë theksohet se xhamitë nuk janë vetëm objekte adhurimi, por edhe qendra që forcojnë strukturën shpirtërore dhe shoqërore të shoqërisë.