Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, mirëpriti sot në një drekë pune delegacionin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Kadir Ozkaya.
Gjatë takimit, Kryetari Gashi e vlerësoi vizitën si një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.
Në kuadër të bisedimeve, u diskutuan edhe zhvillimet politike dhe sfidat aktuale, ku z. Gashi theksoi përkushtimin e Kuvendit për të ruajtur një dialog të hapur dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me Gjykatën Kushtetuese, duke respektuar rolin kyç të saj në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të shtetit.
Vizita e delegacionit turk u konsiderua si një kontribut i çmuar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në nivel institucional dhe miqësor.