Pala maqedonase do të tërhiqet nga qëndrimët anti shqiptare atëherë kur do të ballafaqohet me këmbëngulësinë e ndonjë partie maqedonase, që deri tani nuk kanë hasur në ndonjë parti të tillë shqiptare, vlerëson Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, dhe për këtë arsye sipas tij, pala maqedonase po e përjeton kënaqësinë e të qenurit në pushtet duke i diskriminuar në të njejtën kohë shqiptarët.
“Si ka mundësi që 95% e buxhetit të shkojë vetëm te pjesët maqedonase? Si ka mundësi që fabrikat të hapen vetëm në rajonet maqedonase? Si ka mundësi që festivalet me dhjetëra të jenë institucionalisht të organizuara nga Ministria e Kulturës vetëm për maqedonasit dhe asnjë prej këtyre gjërave të mos realizohet te shqiptarët? Po e kanë parë se nuk çanë kokën askush, e kanë parë që ka politikanë shqiptarë që nuk e kanë dertin e kulturës shqiptare, arsimit shqip, por kanë dertin e foteleve dhe kolltuqeve. Unë jam i bindur se nëse ne jemi këmbëngulës para maqedonasve dhe nëse e shohin ata këtë këmbëngulësi, ata tërhiqen. Mendoj se kjo është ajo pjesa e Ridefinimit kur ne flasim se ne duhet të merremi vesh me ata se çfarë shteti duam”, deklaroi Gashi.
Gashi shtoi se nuk do të lejojnë që maqedonasit ta shohin vete si pronarë të shtetit, ndërsa shqiptarët të konsiderohen qytetarë të rendit të dytë. I pyetur për fyerjet dhe etiketimet që vijnë në adresë të BESËS nga liderë të disa partive politike shqiptare, Gashi tha se derisa ata e fyejnë Lëvizjen BESA, e minojnë çdo tentim dhe përpjekje për bshkëpunim.
“Ajo që Lëvizja BESA me eksponentët e vet kryesor e bën është pikërisht kjo, ne nuk kundërpërgjigjemi, për të lënë nesër derën hapur të bashkëpunimit. Në nuk e mohojmë se nesër duhet të ulemi me partitë shqiptare që të mirremi vesht si ja bëjmë për të ardhmen e kombit, por me këta politikanë që kanë hedhur helm, gurë e dru mbi ne, duke na quajtur si më keq, ne nuk mund të ulemi me ata”, deklaroi Gashi.
Gashi tha më tej se ata liderë partish të cilët ofendojnë Lëvizjen BESA, ofëndojnë gjithashtu edhe 60 mijë shqiptarët që e kanë votuar këtë subjekt politik, duke shtuar se mënyra më e mirë e bashkëpunimit është atëherë kur eksponentët politik kanë një gjuhë më të butë dhe më të moderuar, e jo të përhapin fjalor të urrejtjes. /SHENJA/