Gjuha maqedonase është gjuhë e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer. Këtë e tha kryeparlamentari Afrim Gashi, në intervistën për Alsat.
“Gjuhë e vetme zyrtare me të cilën shteti komunikon dhe institucionet flasin mes vete është gjuha maqedonase. Neni 1 thotë se në të gjitha institucionet shqipja është gjuhë zyrtare zotëri Gashi, pra që mund të komunikojnë edhe në gjuhën shqipe.
Ajo është gjuhë e përkthyer… Si mund ta quani gjuhën shqipe gjuhë të përkthyer zotëri Gashi? Ne e kemi gjuhën shqipe në dokumente personale. Në dokumente e përkthyer apo është në përdorim zyrtar? Unë po ju them të vërtetën ashtu siç është, nuk është diçka që mua më pëlqen, unë e kam kundërshtuar”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Megjithatë, Gashi ka një interpretim tjetër për përdorimin e shqipes. Sipas tij, shqipja nuk është zyrtare, por në përdorim zyrtar.
“Në termat juridik, kur thoni gjuhë zyrtare dhe në përdorim zyrtar. Këtë ua thash gjithë kohës zotëri Gashi. E mbaj mend shumë mirë se këtë ua thash. Tash kur e përmendët ju reagova dhe thash po, gjuha shqipe është në përdorim zyrtar. Dhe unë si kryetar Kuvendi flas dhe udhëheqi seancat në gjuhën shqipe”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Pavarësisht, interpretimit që i bën Gashi, siç mund ta shihni Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i cili është në fuqi është mjaft decid, në nenin 1, paragrafi 2, ku thuhet se gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, në kllapa gjuha shqipe, gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj.
Gashi, foli edhe për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, mohoi të ketë thënë ndonjëherë se nëse brenda gjashtë muajsh nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, dalin nga qeveria. Megjithatë, Gashi shpjegoi se në kontekst tjetër janë dhënë deklaratat e tilla.
“Nëse sot i bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe pas tre muajve, gjashtë muajve e kemi edhe një veto tjetër, çfarë mendoni se do të ndodh me procesin integrues të vendit? Zotëri Gashi, ju shumë mirë e dini se kjo që po thoni ju është fjalor i Mickoskit. Ju cilin e keni ftuar në studio sonte, Hristijan Mickoskin apo Afrim Gashin. Afrim Gashin e kam ftuar, por Afrim Gashi kërkon garanci për integrimin në BE. Nëse ju folni domethënë se flas me fjalorin e dikujt tjetër, ju mund ta thirrni personin që përgjigjet sikur unë, a nëse mendoni se përgjigjet e mia janë autentike, më dëgjoni çfarë ju them unë”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Gashi, pranoi se megjithatë ai sot do t’i kishte bërë ndryshimet kushtetuese, megjithatë nuk ka numra në Kuvend. /Alsat.mk