Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi sot një takim me Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, gjatë të cilit u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore mes dy vendeve.
Gjatë takimit, Kryetari Gashi shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Ai gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, duke nënvizuar faktin se Austria mbetet investitori më i madh i huaj në vend.
Ministrja austriake u shpreh dakord për cilësinë e lartë të marrëdhënieve dypalëshe dhe konfirmoi përkushtimin e Austrisë për t’i forcuar edhe më tej. Ajo theksoi nevojën për ndryshime kushtetuese që do të përshpejtonin procesin e integrimit dhe siguroi se Austria do të japë mbështetjen e saj maksimale për të shmangur çdo pengesë në këtë drejtim.
Gjithashtu, Ministrja Meinl-Reisinger shprehu gatishmërinë e Austrisë për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Takimi u mbyll me shprehjen e kënaqësisë nga të dyja palët dhe me angazhimin për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.