Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u bëri thirrje grupeve parlamentare që të gjendet vullnet politik dhe në Kuvend të zgjedhet Avokati i popullit. Në takimin e sotëm me gazetarët, ai tha se personalisht do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, sepse është një institucion i rëndësishëm dhe se është e papranueshme që aq gjatë kohë të mos ketë udhëheqës.
“Sa i përket procedurës, ne kemi bërë gjithçka që ajo të ecë normalisht, por po përballemi me vullnetin politik të partive politike. Ju e dini që duhet të votohet me shumicë dhe me një Badenter të madh (20 deputetë nga komunitetet). Po e shfrytëzoj këtë mundësi përmes jush, mediave, të bëj thirrje deri te të gjitha partitë politike që ta zhbllokojnë këtë proces, të gjejmë zgjidhje, të ulen aktorët politikë të gjejnë zgjidhje. Mbi të gjitha, le të jemi të ndërgjegjshëm ndaj një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Avokati i Popullit. Do të doja që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur dhe menjëherë do të caktoja seancë. Pika është në rend të ditës, do ta votojmë që të mund të funksionojë edhe në lidhje me zgjedhjet e përsëritura që janë më 11 janar”, tha Gashi.


