Qendra Tregtare “Garnizon” në Kumanovë dikur ishte e mbushur me rreth 200 hapsira afariste, ndërsa sot vetëm 40 janë funksionale. Kushtet në këtë qendër tregtare janë të këqija, ka mbeturina të hedhura gjithandej, vjen erë e keqe si dhe nuk ka ndriçim. Qytetarët ankohen se objekti është lënë pas dore dhe nuk është investuar asgjë, kurse Komuna e Kumanovës thotë se kanë intervenuar disa herë për mbeturinat, megjithatë, nuk treguan nëse kanë ndonjë plan për revitalizim të qendrës.
Kur e viziton qendrën tregtare “Garnizon” në Kumanovë përballesh me mbeturinat që janë gjithandej, në shporta, në shkallë, në tokë. Kati përdhesë nuk ka as ndriçim. Këto janë pamjet nga Garnizoni. Hajrulla Halili, nënkryetar i këshillit të ndërtesës së “Garnizonit” në Kumanovë, për Portalb.mk thotë se përpos problemeve të lartpërmendura, as kanalizimi nuk funksionon siç duhet si dhe shtoi se ka probleme që datojnë që prej para 30 viteve.
“Kemi dërguar kërkesa të ndryshme deri te kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievksi, po ashtu edhe te ish kryetari i komunës, mirëpo asnjëherë nuk na kanë dhënë përgjigje në lidhje me papastërtinë dhe ndotjen e ambientit. Po ashtu, kemi kërkuar që kontejnerët që janë të vendosura në hyrje të qendrës tregtare të largohen. Këtu ka probleme të ndryshme të kushteve, kanalizimi nuk është i rregulluar prej para 30 viteve e më shumë. Ndërsa ka 33 vite që janë këto ndërtesat, prej në fillim janë këto probleme dhe vazhdojnë të jenë akoma. Kemi kërkuar elektrifikimin e ndërtesës në përgjithësi sepse llogaritet si qendër tregtare e garnizonit dhe të gjithë ato që kanë lokale, shitore, dyqane e bëjnë me vet kontributin e tyre, edhe pse pagesat i kryejnë me rregull të gjithë, mirëpo ndriçim ende nuk ka”, tha Halili.