Prezantimi i një prej projekteve të kandidatit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Visar Ganiu, për të nxitur punësimet në komunën, ka nxitur reagime pozitive nga banorët e Çairit, sidomos nga ajo kategori që është vazhdimisht në kërkim të një vendi pune, por edhe tek pjesa tjetër që duan një komunë më të pastër.
Themelimi i një ndërmarrje për higjienë komunale është një prej iniciativa të kandidatit Ganiu, e cila jo vetëm siç thuhet, do të kujdeset për pastrimin dhe mirëmbajtjen e mjedisit në të gjitha rrugët dytësore e rrugicat e komunës, por njëherazi do të shërbejë edhe për të rritur punësimet.
Sipas Ganiut, prioritet për t’u punësuar do të kenë banorët e zonës, sidomos ato që vijnë nga shtresat më të varfra sociale. Ndërkohë që ai po ashtu ka ofruar edhe një opsion tjetër punësimi edhe në ndërmarrjet e tjera publike të Qytetit edhe në nivel qendror, për të reduktuar papunësinë, por edhe për të rritur përqindjen e përfaqësimit të drejtë e adekuat të gjitha komuniteteve nëpër këto institucione.
Ky projekt është aneksi që kandidati Ganiu ia ka bashkëngjitur Kontratës 2017-2021 dhe strategjisë për zhvillimin e Çairit gjatë katër viteve të ardhshme, dokument ky që në mënyrë të detajuar planifikon masat për të përmirësuar mirëqenien e banorëve.