Gazetari Furkan Saliu ka dalë në mbrojtje të ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, pas disa kritikave të bëra në drejtim të tij në opinionin publik. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Saliu ka reaguar ashpër ndaj këtyre sulmeve, duke i cilësuar si “budallallëk i rëndë”.
“Me sulmuar ambasadorin e vetëm shqiptar që ka dalë prej zyre është budallallëk i rëndë,” ka shkruar Saliu, duke nënvizuar angazhimin e Meidanit që prej ardhjes së tij në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, ambasadori Meidani ka treguar përkushtim të vazhdueshëm ndaj komunitetit shqiptar, jo vetëm përmes takimeve me figura të pozitës dhe opozitës, por edhe duke qenë i pranishëm në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Në byrek, çaj apo duke shpërndarë libra… Është gjithmonë prezent tek shqiptarët e tij,” ka shtuar gazetari, duke e kontrastuar këtë sjellje me ambasadorët e mëparshëm, të cilët i përshkruan si “aristokratë”.
Deklarata e Saliut vjen në një kohë kur Ambasada e Shqipërisë në Shkup ka qenë më aktive në terren, me nisma kulturore dhe edukative që kanë përfshirë komunitetin shqiptar në vend.