Nuk ka raste të reja të të prekurve nga fruthi, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Nga Komisioni për sëmundje infektive thonë se gjendja e pacientëve të shtrirë në Klinikën Infektive është stabile, por alarmi për paraqitje të epidemisë vazhdon të jetë i ndezur. Sipas autoriteteve shëndetësore përhapja e këtij infeksioni vjen edhe si rezultat i kontakteve me njerëz nga vendet fqinje, të cilat po përballen me këtë epidemi.
“Në bazë të kontakteve tona me shërbimet e Klinikës për sëmundje infektive, nuk ka raste të reja të të infektuarve nga fruthi. Gjendja e pacientëve të shtrirë është jashtë çdo rreziku të mundshëm, ndërkohë që apelojmë të gjithë ata persona të cilët nuk e kanë pranuar këtë vaksinë kundër fruthit, të njëjtën ta marrin”, thanë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Epidemiologët sqarojnë mënyrën e transmetimit të kësaj sëmundje infektuese nga një person në tjetrin, ndërkaq shtojnë se një gjendje e tillë vjen si pasojë e numrit të ulët të personave të cilët e marrin vaksinën adekuate.
I sëmuri mund ta përcjell të tjetri sëmundjen përmes teshtitjes, kollitjes, dhe përmes të të folurës me zë më të lartë. Nuk ka rrugë tjetër, kjo është rruga e vetme, aerogjene e përcjelljes së infeksionit. Kur është në pyetje vaksina e fruthit kemi nivel të ulët të vaksinimit për shkak të kampanjës që po bëhet kundër saj. Këtu kemi një pengesë shumë të madhe për shkak të kampanjës e cila bëhet pa arsye dhe nuk e di përse prindët e marrin këtë hap, vaksinimi është e vetmja mbrojtje nga fruthi – deklaroi Lulzime Bajrami, Epidemiologe.
Autoritete shëndetësore vazhdojnë të apelojnë në marrjene vaksinës kundër fruthit, e cila sipas tyre është mënyra e vetme për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Vaksinimi kundër fruthit merret në dy faza, njëra kur fëmija është në moshën 13muajshe dhe tjetra në moshën gjashtë vjeçare. Gjatë javës së kaluar ekipet e Institutit të Shëndetit Publik kanë vaksinuar gjithsej 1932 persona të cilët nuk kanë pranuar këtë vaksinë. Ndërkaq për momentin në Klinikën Infektive të shtrirë janë gjashtë pacientë të prekur nga kjo sëmundje.
Ndërkohë nga ana tjetër, sic kanë raportuar mediat lokale të Greqisë deri më sot atje janë regjistruar 200 raste të të prekurve nga fruthi, ndërkaq njëri nga të prekurit me fruth që është konstatuar brenda territorit të vendit, ka qenë nga Kosova.
https://youtu.be/uVdet6KpFN4