Fatmir Bytyqi
Faktori kryesor motivues ekonomik për lëvizjet migruese nga vendi është shkalla e zhvillimit në vendet e Evropës Perëndimore, pra pabarazia në standardin e jetesës. Dallimet janë të dukshme, në vitin 2021 PBB për frymë në nivel të BE-së është 29.900 euro, ndërsa në Gjermani, e cila është një nga vendet më tërheqëse për qytetarët tanë, është 43.292 euro. Në të njëjtin vit,PBB për frymë në Maqedoninë e Veriut ishte 5,651 euro. Nëse duam ta ndryshojmë këtë dallim, do të na duhet një dinamikë e zgjeruar ekonomike që do të sjellë ritme më të larta të rritjes së PBB-së. Por për ta bërë këtë, është e nevojshme të futet një perspektivë tjetër në krijimin e politikave ekonomike, përmes së cilës do të njohim frikën nga rritja si një faktor kufizues në përpjekjet kombëtare për prosperitet.
Frika nga rritja është shqetësimi se kur arrijmë diçka të re, kur bëhemi pjesë e një tregu më të madh, nuk do të jemi në gjendje ta ruajmë konkurrueshmërinë tonë ose se do të vuajmë për atë arsye. Frika është faktori që i drejton mundësitë ekonomike që janë në dispozicion jo në prosperitet, por në stagnim. Ajo përjashton, eliminon, ngushton horizontin e perspektivës ekonomike të ekonomisë kombëtare. Bartës të saj janë strukturat apo idetë konservatore që synojnë qëllimisht ruajtjen e “status quo-së” përsa i përket themeleve nga të cilat lind rritja ekonomike. Përballë një tregu në të cilin mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitali lëvizin lirshëm midis 27 vendeve, me gati 500 milionë banorë, në të cilin aktiviteti ekonomik drejtohet nga 23,2 milionë kompani (nga sektori jofinanciar).
Hapësira ekonomike në të cilën 4.000 të punësuar në industrinë e lojërave në Finlandë shfrytëzuan një mundësi që u dha atyre dhe e përdorën atë duke gjeneruar të ardhura prej 3,1 miliardë euro në vitin 2020, dhe sa për krahasim, në të njëjtin vit 794,909 të punësuar në Maqedoninë e Veriut krijuan një vlerë të PBB-së prej 10.8 miliardë euro apo ekonomia jonë me 200 herë më shumë të punësuar krijon vetëm 3 herë më shumë vlerë. E theksoj këtë jo për të na trembur, por për të motivuar, frymëzuar dhe nxitur ndryshime në drejtim të mbështetjes së numrit më të madh të qytetarëve apo kompanive për të marrë pjesë në aktivitete ekonomike dhe për t’i çliruar ata nga frika e rritjes.
Daron Axhemoglu (MIT) dhe Xhejms Robinson (Harvard) në librin e tyre të vitit 2012 “Pse dështojnë kombet: Origjina e Fuqisë, Prosperitetit dhe Varfërisë” duke iu përgjigjur pyetjes se pse disa vende arrijnë prosperitetin ekonomik dhe të tjerët janë të mbërthyer në varfëri, përdorin dy koncepte, përkatësisht nxjerrjen dhe inkluzivitetin.
Kur flitet për nxjerrjen e institucioneve dhe politikave ekonomike, vihet në pah synimi për të përqendruar pushtetin në një grup të vogël, i cili kërkon të mos ketë kufizime në manifestimin e tij, sepse ato grumbullojnë përfitime.
Inkluziviteti lidhet me lirinë ekonomike, me diversifikimin e aktivitetit ekonomik që eliminon mundësinë që një grup i vogël interesi të vendosë kufizime në fushën ekonomike. Të heqësh qafe frikën e rritjes është një luftë për përfshirje në proceset ekonomike.
Proceset ekonomike inkluzive janë ato që nxisin qytetarët të marrin pjesë në aktivitete ekonomike, i nxisin ata të punojnë dhe të jenë krijues, të përfshihen në rritjen ekonomike. Zhvillimi i inluzivitetit duke ndërtuar dhe kultivuar një kulturë biznesi sipërmarrëse, e cila do të përfshijë gatishmërinë për të pranuar rrezikun, hapjen ndaj qasjeve novatore dhe uljen e pritshmërive që shteti të jetë “partneri” kryesor i aktorëve ekonomikë në pjesëmarrjen e tyre në tregje. Në këtë mënyrë, ne marrim një dimension vlere në modelin ekonomik, i cili do ta drejtojë atë për të dhënë jo vetëm rezultate afatshkurtra, por edhe vlerë afatgjate.
Rrisim pluralitetin e aktorëve ekonomikë duke motivuar dhe mbështetur qytetarët që të përfshihen drejtpërdrejtë në krijimin e suksesit ekonomik, duke i mbështetur financiarisht ata për të hequr qafe frikën e hapave sipërmarrës. Nëse në vitin 2015 janë mbështetur vetëm rreth 30 projekte të kompanive startap përmes Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), deri në këtë vit janë mbështetur mbi 1000 projekte me 66 milionë euro.
Sipas Planit të rritjes ekonomike deri në vitin e kaluar u mbështetën 645 kompani kurse këtë vit presim që ky numër të rritet në mbi 1000. Po zhvillohen procese dinamike të diversifikimit të prodhimit industrial, në të cilat kompanive vendore shpërndahen sistematikisht mundësitë për t’u përfshirë në krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi, në lidhje me burimet e rritjes ekonomike, ne i vendosim ato në një bazë inkluzive. Këto procese krijojnë vende të paguara mirë të punës, inkurajojnë bashkëpunimin ndërmjet kompanive vendore dhe të huaja dhe forcojnë kapacitetet teknologjike dhe inovative. Në këtë mënyrë ndërtohet aftësia dhe konkurrueshmëria e kompanive vendore për të krijuar vlera shtesë jo vetëm në tregun tonë, por në tregjet rajonale dhe globale, respektivisht t’i çlirojmë nga frika për të qenë pjesë e hapësirës ekonomike të BE-së, e cila në vitin 2021 krijoi vlerë të PBB-së prej 14.5 trilionë euro.
Forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal ndërmjet vendeve të rajonit nëpërmjet konkurrueshmërisë, e jo konkurrencës, është i rëndësishëm për përgatitjen e ekonomisë sonë për hyrje në BE, por është i rëndësishëm edhe nga aspekti që konkurrueshmëria ndan dhe shpërndan suksesin ekonomik dhe nuk akumulon atë në qendër. Kjo është arsyeja pse konkurrueshmëria rajonale është çelësi që hap derën për prosperitet gjithëpërfshirës në Ballkanin Perëndimor.
Si vend, ne jemi përballë sfidës për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë për fuqi punëtore. Këtë proces jemi duke e drejtuar në një mënyrë gjithëpërfshirëse, ku hapi i parë është krijimi I një fuqie punëtore të kualifikuar, e cila do të jetë një nga mbështetësit më të fortë për kompanitë në mënzrë që ato të kapërcejnë frikën dhe për të vendosur horizontet e tyre të suksesit të biznesit në korniza rajonale apo evropiane. Një numër gjithnjë e më i madh i kompanive përfshihen në proceset e krijimit të një fuqie punëtore me trajnim të lartë. Nëse në vitin shkollor 2021/2022 në procesin e arsimit të dyfishtë janë përfshirë 210 kompani, këtë vit shkollor numri është rritur në 450, me 255 paralele dhe 2.763 nxënës.
Ky është vetëm një fragment i vogël i proceseve me të cilat ne krijojmë mentalitet te biznesmenët tanë për të dalë nga zona e komfortit të aktiviteteve afariste në ekonominë e Maqedonisë, sepse me anëtarësimin në BE kufijtë e rritjes ekonomike do të vendosen shumë më tej. Nëpërmjet Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, ne inkurajojmë kompanitë tona që të dalin nga kjo zonë, të zhvillohen përtej kapaciteteve të tyre aktuale. Ulja e nxjerrjes në hapësirën tonë ekonomike dhe forcimi i inkluzivitetit së saj do të thotë të heqim qafe frikën e rritjes. Kjo është një perspektivë përmes së cilës ne mund të vendosim vizione afatgjata dhe strategjike për zhvillimin dhe prosperitetin kombëtar.