Qyteti i Strugës njihet si një nga perlat turistike të Maqedonisë.
1.5 kilometra larg liqenit ndodhet edhe makthi i struganëve, deponia e mbeturinave. Më tepër se një muaj më parë, zjarri i shkaktuar në këtë deponi, që sipas autoriteteve ishte i vënë me qëllim, bëri që t’i jepet vëmendja e duhur këtij problemi i cili ka anë të shumfishta negative.
Ekzistenca e kësaj deponia shihet me shqetësim për shkak se e ndot ajrin, por edhe mund të jetë burim i epidemive dhe i sëmundjeve të ndryshme, shkruan Almakos
Tashmë edhe qytetarëve të Strugës po ju humbet durimi. Ata sot kanë protestuar për të shprehur revoltën e tyre.
Ambietalistët mbështesin struganët në kërkesat e tyre për një ambient të pastër jetësor dhe qytet pa deponi të egra.
Arianit Xhaferri, nga “ECO GUERRILA” apelon deri tek Qeveria e R.së Maqedonisë për një zgjidhje sa më të shpejtë. Sipas tij kjo do të ndikojë negativisht edhe në turizëm.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë që pa humbur kohë fare të fillojë me punë në vendosjen e një sistemi funksional për menaxhimin e mbeturinave si dhe ndërtimin e deponive me standarde dhe krijimin e trupave të pavarur monitorues për këto projekte me interes të lartë publik, por dhe me rrezikshmëri të lartë për shëndetin publik dhe mjedisin jetësor.”
Ndërkohë, Komuna e Strugës ka dalë me propozime për zgjidhje të mundshme të kësaj çështje. Bëhet fjalë për propozimin e këshilltarëve të kësaj komune që të ndryshohet lokacioni i deponisë, duke propozuar deponinë në Komunën e Ohrit.
Të gjithë bëjnë mbëturina, por askush nuk i do ato, kjo vërehet edhe tek bisedimet me Komunën e Ohrit, thotë për Almakos Ardian Demiri, këshilltarë në Komunën e Strugës.
Siç thotë Demiri, edhe Komuna e Ohrit mund të jetë nën presion nga qytëtarët, të cilët mund edhe të jenë kundër dërgimit të mbeturinave nga Struga, në qytetin e tyre.
“Nga bisedimet më Komunën e Ohrit ka lindur ideja që të krijohet një grup profesionistësh, që do të vlerësojnë nëse deponia në Ohër ka kapacitet të mjaftueshëm. “E nëse plani A dështon, atëherë plani B është që të ndërtojmë dicka në territorin tonë”- thotë Ardian Demiri për Almakos.
Struga nuk është I vetmi qytet që ka një problem të till. Në listë i bashkohën edhe Tetova, Gostivari, Studeniçan e disa vendbanime të tjera. Disa prej këtyre vendbanimeve kanë vite të tëra që ankohen, por më kot.
Sigurisht, siç po ndodh edhe për shumë çështje të tjera, edhe për këtë qytetarët shpresojnë që Qeveria e Re të propozojë një zgjidhje më afatgjatë dhe të përfundojë bartja herë andej e herë këndej e mbeturinave.
Evi Shkopi
Almakos.com