Një operacion shpëtimi i Rojës Bregdetare të Greqisë përfundoi me sukses dhe në shpëtimin e jetës së një 50-vjeçari shqiptar që po rrezikonte mbytjen me skafin e tij në ujërat e zonës detare të ishullit “Prasoudi”, të Igumenicës.
Por surpriza erdhi më pas, kur autoritetet zbuluan në anijen gjysmë të fundosur një sasi të madhe droge.
Në total mbi 135 kg drogë.
Me ndihmën e një zhytësi privat, nga brendësia e mjetit lundrues u gjetën pesë pako plastike të improvizuara që përmbanin një sasi lënde narkotike, kanabis të papërpunuar, me një peshë totale bruto prej 79.75 kilogramësh.
Pas hetimeve, në zonën detare të “Votës” Sagiada, u gjet një qese shtesë, e cila ishte pjesë e ngarkesës totale dhe përmbante gjashtë pako najloni me kanabis të papërpunuar, me një peshë totale bruto prej 56.13 kilogramësh.
Sasia totale e kanabisit të papërpunuar që u gjet dhe u sekuestrua arriti në 135.88 kilogramë.
Autoriteti Qendror Portual i Igumenicës, i cili po kryen hetimet paraprake, arrestoi të huajin 50-vjeçar.
Personi i arrestuar akuzohet për shkelje të ligjit “mbi substancat që shkaktojnë varësi”, pasi u përpoq të importonte ilegalisht një sasi të madhe droge në vend, si dhe për “hyrje të paligjshme në vend” pasi i mungonin dokumente të ligjshme udhëtimi.
Përveç kësaj, u sekuestruan droga, varka prej poliesteri (tip skafi) si mjet transporti dhe një pajisje telefoni celular.
Vlera e sasisë së sekuestruar të drogës arrin në 400 mijë euro.


