Detaje të reja dalin lidhur me ngjarjen tronditëse u zbulua të dielën e kaluar në periferi të Brukselit, ku një trup i pajetë u gjet i varur në pjesën e pasme të një tabele përgjatë një autostrade.
Viktima dyshohet të jetë shqiptari Bekim Halilaj, me të kaluar kriminale në Mbretërinë e Bashkuar. Hetimet po e trajtojnë rastin si vrasje të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së dielës, më 28 shtator 2025, pranë zonës së Anderlechtit në Belgjikë. Trupi i të riut u gjet i varur me litar pas një tabele sinjalistike në një nga rrugët kryesore të zonës.
Sipas informacioneve nga autoritetet belge, viktima dyshohet të jetë Bekim Halilaj, 29 vjeç, me origjinë nga Kukësi.
Policia dhe prokuroria federale hapën menjëherë hetimet dhe po e trajtojnë rastin si një ekzekutim me motive kriminale.
Një burim i afërt me hetimet ka deklaruar për mediat lokale se mënyra e ekzekutimit “i ngjan metodave të përdorura nga kartelet meksikane”, çka e bën rastin akoma më tronditës dhe të pazakontë për kryeqytetin belg.
Kush është Bekim Halilaj?
Sipas të dhënave nga media britanike, një person me emrin Bekim Halilaj ka qenë më parë i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për trafik të drogës.
Në vitin 2017, Halilaj ishte arrestuar së bashku me tre persona të tjerë nga Policia e Hampshire gjatë një operacioni që zbuloi shpërndarjen e kokainës me vlerë mbi 4 milionë paund në zonën e Southampton.
Ai u kap në një banesë të quajtur Carrington House, që përdorej si laborator për përgatitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Për këtë rast, Halilaj u dënua me 7 vite burg, ndërsa grupi i tij dyshohej se ishte pjesë e një rrjeti të sofistikuar të trafikut të drogës në Britani.
Autoritetet belge janë në pritje të konfirmimit zyrtar për identitetin e viktimës dhe po bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për të zbuluar motivin dhe autorët e ngjarjes. Ndërkohë, pista kryesore mbetet përfshirja e krimit të organizuar ndërkombëtar.