Ky është 34-vjeçari që zotëronte arsenalin e armëve në “Myslym Shyri”, dyshohet se muniocionet do të përdoreshin për ngjarje kriminale
Eugert Sino u arrestua sot nga policia, pasi dyshohet se ishte poseduesi i një arsenali armësh të zbuluara në Tiranë.
Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri” blutë ushtruan kontroll në furgonin e 34-vjeçarit ku u gjetën:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Sipas burimeve mësohet se armët e kapura dyshohet se ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga një grup kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e “Myslym Shyrit”, edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në po të njëjtën zonë në afërsi.
Armët janë relativisht të reja dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova, por nuk kanë lidhje me goditjet e mëparshme që janë bërë për trafik armësh.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “The van”.
Zbulohet një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.
Sekuestrohen 23 armë zjarri (5 prej tyre me snajper), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, paisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se i posedonte.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte arsenal armësh, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ditën e sotme, ka zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “The van”.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.
Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e shtetasit E. S. u gjetën:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.


