Performanca të ndryshme artistike, fabula të pasura, karikatura, por edhe tematika që vënë në lojë sfidat e shoqërisë ishin pjesë e festivalit ndërkombëtar të karnavaleve në Korçë me 400 pjesëmarrës veshur me kostume karnavalesh.
Parada e madhe pati një gjithëpërfshirje të qytetarëve por edhe turistëve të cilët mbushën rrugë e sheshe duke sjellë ngjyra dhe gjallëri në çdo cep.
Për herë të parë këtë vit, edhe “Birra Korça” – birra e parë shqiptare – ka marrë pjesë në karnavale, me një përfaqësi të veçantë të fëmijëve të veshur njësoj, ideuar nga shkollat 9-vjeçare duke sjellë një mesazh të qartë për ruajtjen e traditës dhe përfshirjen e brezave të rinj në këtë festë.
Përveç grupeve nga Shqipëria këtij festivali tradicional i janë bashkuar edhe grupe të ftuara nga jashtë Shqipërisë, përfshirë Poloninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë.
Korça, përmes festave madhështore që organizon, dëshmon se është një qytet që di të mikpresë, të argëtojë dhe të promovojë vlerat kulturore, duke mbledhur rreth vetes vizitorë nga e gjithë Shqipëria por jo vetëm.