Në mbledhjen e Kryesisë por edhe të Asamblesë së Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare sot morri pjesë dhe biznesmeni shqiptar nga Tetova Lazim Destani.
Sipas Destanit gjatë diskutimeve është biseduar për aktivitetet e vitit 2020 dhe në veçanti për Forumin e Biznesit të Diasporës Shqiptare, që do të mbahet në Tiranë më 3 dhe 4 qershor.
“Përpos shtimit të anëtarëve të Dhomës, pata kënaqësinë të hidhja idenë që këtij institucioni t’i bashkohen dhe avokatë e noterë me shoqatat e tyre, me qëllim që t’u japin ndihmesë e mbështetje kompanive shqiptare nga diaspora por edhe atyre të huaja që kanë interesa të investojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo kudo në trojet tona”, është shprehur filantropi Lazim Destani.
Presidenti i kompanisë ECOLOG, Lazim Destani gjithashtu informoi se krahas këtij aktiviteti, sot së bashku me Kryetarin e Dhomës së Biznesit të Diasporës, Ardjan Lekaj zhvilluam dhe një takim në zyrën e tij tek Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
“Me Ministrin Majko diskutuam në përgjithësi për aspekte të ndryshme të Diasporës sonë, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe afrimin e çdo shqiptari me atdheun”, është shorehur Destani.