Një moment i jashtëzakonshëm humanitar është vlerësuar si një nga dymbëdhjetë fotografitë më kuptimplota të vitit 2025 nga BBC.
Bëhet fjalë për një skenë të kapur gjatë zjarreve të mëdha që përfshinë Greqinë këtë verë, ku një burrë shqiptar shihet duke transportuar një dele në motor, për ta shpëtuar nga flakët.
Fotografia është realizuar nga fotoreporteri Thanassis Stavrakis i agjencisë Reuters dhe është shkrepur në zonën e Patrës, në gusht të këtij viti.
Imazhi, i mbështjellë nga tymi dhe një sfond zjarri, u bë simbol i guximit dhe ndjeshmërisë njerëzore në një situatë të jashtëzakonshme, ku shumë banorë ishin të detyruar të braktisnin shtëpitë.
BBC e ka përshkruar këtë moment si një reflektim të dhembshurisë njerëzore dhe e ka krahasuar me figurën simbolike të “Bariut të Mirë” – një metaforë e lashtë që përfaqëson kujdesin ndaj më të pambrojturve.