Tre persona, të dënuar edhe më parë për të njëjtin krim, janë arrestuar në kryeqytet pasi akuzohen për një seri bastisjesh të ndryshme, duke aplikuar metodën e kopjimit të çelësave.

Policia e Tiranës njoftoi sot (14 janar) se të ndaluarit janë A. M., 36 vjeç, S. T., 35 vjeç dhe G. K., 38 vjeç dhe është kryer nga Komisariatet Nr. 2 dhe Nr. 3, i koduar “Strategjia”.
Grupi kriminal besohet se është më i gjerë dhe po vijojnë hetimet për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë. Zbardhen dhe 3 vjedhje të kryera nga ky grup, gjatë muajit janar. Njëra prej vjedhjeve u krye dje, ndërsa në njërën prej banesave, u vodhën 14 000 euro dhe sende me vlerë.
“Pjesëtarët e grupit fillimisht fotografonin bravat e dyerve të banesave. Më pas, pamjet studioheshin nga pjesëtarët e grupit, për të zbërthyer mekanizmin dhe për të mundësuar hapjen, me çelës universal. Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 finalizuan operacionin e koduar “Strategjia”, në kuadër të të cilit u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit A. M., 36 vjeç, S. T., 35 vjeç dhe G. K., 38 vjeç”, njoftoi policia për detajet e aksionit.

Nga hetimet dyshohet se autorët e organizuar si grup, më datë 7 janar, kanë vjedhur në një banesë në rrugën “Don Bosko”, më datë 10 janar, kanë vjedhur 14 000 euro dhe sende me vlerë në një banesë në rrugën “Dritan Hoxha”, dhe dje, kanë vjedhur në një banesë në rrugën “Don Bosko”.

“Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.


