Aksi rrugor Elbasan–Cërrik, në afërsi të fshatit Kuqan, është bllokuar prej rreth tri orësh si pasojë e shembjes së një gjatësie prej 20 metra linear të një kanali vaditës.
Nga dëmtimi i kanalit, uji ka dalë jashtë shtratit, duke marrë me vete edhe sasi dheu e materialesh nga kodrat përreth. Uji dhe dheu kanë përfunduar në rrugë, duke vështirësuar dhe më pas bllokuar qarkullimin e automjeteve në këtë segment.
Situata ka krijuar probleme të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve që lëvizin në aksin Elbasan–Cërrik, ndërsa qarkullimi vijon të jetë i ndërprerë në zonën e prekur.
Ende nuk dihet nëse shembja e kanalit është shkaktuar nga amortizimi i strukturës apo nga faktorë të tjerë.









