Një foshnjë vetëm dy muajshe është sjellë pa shenja jete në Repartin e Fëmijëve të Spitalit të Përgjithshëm në Strugë mëngjesin e sotëm, ka konfirmuar drejtori i spitalit, Vladimir Bunçeski, për Agjencinë e Lajmeve AIM.
Sipas informatave të dhëna nga zëdhënësi i Policisë Shtetërore të Ohrit, Stefan Dimoski, rasti është raportuar në stacionin policor të Strugës në orën 08:30 të mëngjesit. Prindërit e foshnjës, banorë të një fshati në afërsi të Strugës, e kishin dërguar fëmijën në spital pa shenja jete.
“Ekipi mjekësor nisi menjëherë reanimacionin, por, për fat të keq, pediatri konstatoi vdekjen e foshnjës”, tha Dimoski.
Me urdhër të prokurorit publik, mbi trupin e foshnjës u krye autopsia nga një mjek ligjor, i cili nuk konstatoi gjurmë dhune. Policia shtetërore e Strugës zhvilloi biseda me prindërit dhe më pas kreu një inspektim në shtëpinë e tyre.
Shkaqet e sakta të vdekjes pritet të përcaktohen pas përfundimit të analizave të plota autoptike.