Nëse duan të matin forcat por të mos digjen, partitë opozitare duhet të bashkohen aty ku ka rrezik të madh djegieje dhe të maten aty ku rreziku është më i vogël. Thënë troç, ato duhet të dalin me lista të përbashkëta në njësitë 1, 2 dhe 5 dhe të masin forcat në njësinë 6
ROBERT NESIMI
Situata. Sado që në shënjestër të bombave të opozitës ishte kryesisht partia maqedonase në pushtet, ato kanë tronditur rëndë edhe skenën politike shqiptare. Nëse asgjë tjetër kuptuam se vëllazëria e partive në pushtet kishte shkuar shumë më thellë se ç‘mendohej dhe se asgjë më e mirë nuk kishte qenë as sjellja e partisë opozitare shqiptare, e cila de facto kishte qenë pjesë e kësaj vëllazërie.
Situata e shpalosur ka rezultuar me një frymë revolte te popullata shqiptare, që tenton të kanalizohet nëpërmjet pesë partive tjera të gatshme për të ofruar diçka ndryshe. Për këtë arsye tanimë është e qartë se në zgjedhjet e prillit në garë do të jenë vetëm dy opcione: opcioni i status quo-së dhe opcioni i ndryshimit. I pari përbëhet nga BDI, PDSH dhe gjithë ata që duan të ruajnë status-quonë; i dyti nga partitë e opozitës dhe ata që duan ndryshim. Është bindja ime e thellë që elektorati shqiptar tanimë është i gatshëm për ndryshime, por kjo nuk do të thotë fitore automatike e opozitës. Ekziston rrezik i madh që edhe në këto zgjedhje të përsëriten skenaret e vjetra, ku populli voton për ndryshim, por fitore korr status-quoja.
Nevoja. Në zgjedhjet e vitit 2011 votuesit shqiptarë shprehën vullnetin e tyre për ndryshim duke i dhënë më tepër vota opozitës. Por sistemi zgjedhor dhe dalja e ndarë e opozitës në zgjedhje bënë që BDI të fitojë 15 deputetë, PDSH 8 dhe RDK 2. Rezultati ishte shkatërrues për partitë tjera, sidomos për DR-në, e cila mbeti pa deputet megjithëse pati 20.000 vota.
Në retrospektivë është e qartë pse nuk mund të krijohej front i përbashkët me PDSH-në, por kjo assesi nuk vlen për partitë tjera, sidomos RDK-në dhe DR-në. Partitë opozitare bashkërisht morën 55.000 vota, por prej tyre plotësisht u dogjën 38.000 vota, apo 70% e totalit. Që atëherë këto parti morën tatëpjetën. RDK u fut në trajektore rënie të pandalshme, ndërkaq DR mbeti pa deputetë, lideri i saj përfundoi karrierën politike dhe partia u shua fare.
Alternativa ishte që RDK dhe DR të ishin paraqitur si koalicion, me çka do të merrnin 6 deputetë, BDI 13 dhe PDSH 6. Pra BDI, ashtu siç deshi populli, nuk do të kishte as shumicë parlamentare, ndërsa RDK dhe DR do të ishin zë i fuqishëm në skenën politike shqiptare në vitet e ardhshme. Një konfiguracion i tillë politik shqiptar do të ndryshonte shumëçka, madje do mund të parandalonte përshkallëzimin e situatës deri në atë masë ku jemi sot. Qartazi pra vendimi për të mos bashkëpunuar ishte gabim fatal i opozitës, pa shans të dytë për korrigjim, që la pasoja edhe te elektorati i zhgënjyer shqiptar i cili kishte votuar për ndëshkim të partisë në pushtet.
Rreziku i një skenari të tillë është tejet i lartë edhe tani. Partitë opozitare doemos duhet të gjejnë formë koalicionimi, sepse në rast dështimi nuk do të kenë shans të dytë dhe status-quoja do të ruhet për vite tjera me radhë.
Problemi. Pengesa më e madhe për front të përbashkët për ndryshim si duket janë mosmarrëveshjet për definimin e vendeve në listën e përbashkët dhe kryesimin me frontin. Deri diku kjo është e natyrshme. Disa nga partitë sapo janë formuar dhe nuk janë matur ende në zgjedhje, disa janë matur vetëm në nivel lokal, ndërsa disa kanë qenë në rënie e sipër. Realisht as opinioni, as vetë këto parti, nuk dinë se kush sa fuqi ka dhe rrjedhimisht kush duhet të jetë bartës, e kush përcjellës në front.
Nga ana tjetër, edhe nëse partitë arrijnë të merren vesh si t’i ndajnë mandatet, kjo ndoshta nuk do jetë korrekte ndaj votuesve. Fundja pa marrë parasysh nëse shumica e tyre do të votojnë për ndryshim, është mirë të dihet se cilat parti gëzojnë më tepër përkrahje e cilat më pak.
Kështu problem themelor i koalicionimit duket se janë dy shtytjet e kundërta: shtytja për bashkim për të evituar rrezikun e djegies së votave dhe shtytja për të dalë veçmas në mënyrë që të kuptohet fuqia reale e secilës parti. Rrjedhimisht zgjidhja e këtij problemi duhet të adresojë të dy çështjet njëkohësisht.
Formula. Për të ardhur te një zgjidhje e kënaqshme është e rëndësishme që të kuptohet më saktë se ku dhe si digjen votat. Kështu thamë se në vitin 2011 opozitës i janë djegur 38.000 nga 55.000 vota, apo rreth 70%. Por djegia nuk ka qenë e barabartë kudo. Në njësitë zgjedhore 1, 2 dhe 5 janë djegur 31.000 vota apo 100% e totalit, ndërsa në njësinë 6 vetëm 7.000 vota apo 29% e totalit të asaj njësie. Ky rezultat nuk përbën ndonjë befasi; në fakt ai flet për një matematikë të rëndësishme zgjedhore. Në njësinë ku ka më tepër votues shqiptarë rreziku i djegies është shumë më i vogël se në njësitë tjera; aty ku shqiptarët janë më pak djegia mund të jetë katastrofale. Prandaj në njësinë gjashtë partitë mund të jenë më komode dhe të dalin vetë në zgjedhje, pa shumë frikë se do të digjen totalisht. Por në njësitë tjera koalicionimi bëhet imperativ ekzistencial.
Këtu qëndron edhe zgjidhja e nyjës gordiane të parashtruar më sipër. Nëse duan të matin forcat por të mos digjen, partitë opozitare duhet të bashkohen aty ku ka rrezik të madh djegieje dhe të maten aty ku rreziku është më i vogël. Thënë troç, ato duhet të dalin me lista të përbashkëta në njësitë 1, 2 dhe 5 dhe të masin forcat në njësinë 6.
Një shikim i votës shqiptare tregon se me dalje të përbashkët në zgjedhje, fronti për ndryshim realisht mund të fitojë 6-7 deputetë në njësitë 1,2 dhe 5. Nga ana tjetër pragun prej 6000-6500 votave për të shmangur djegien në njësinë 6 disa parti opozitare mund t’a arrijnë edhe vetë, pasi njësia në total ka rreth 110.000 vota shqiptare. Me këtë kombinim ato kanë potencial për të fituar 7-8 deputetë në këtë njësi, që i afron drejt një totali prej 15 deputetësh të nevojshëm për fitore të sigurt.
Alternativisht nëse dalin vetë kudo, përçarja e votës opozitare do të digjte shumë vota në njësitë 1,2 dhe 5, ku realisht do të përfundonin me 2-3 deputetë në total. Mospasja e sensit për bashkëpunim do të neveriste edhe elektoratin e njësisë 6 ku do të shënonin rezultat më të dobët se potenciali që realisht kanë. Lartë-poshtë ky skenar do të garantonte humbjen dhe shuarjen përfundimtare të disa partive, ndoshta të gjithave.
Benefit shtesë është se ky model do të përcaktonte saktë edhe mbështetjen e secilës parti të frontit veçmas, pa rrezikuar zhdukjen e dhjetëra mijëra votave shqiptare. Kjo për faktin se njësia gjashtë në njëfarë mënyre është reper i gjithë shqiptarëve. Aty banojnë afër 50% të votuesve shqiptarë dhe prej aty dalin thuajse dy e treta e deputetëve. Zona ka 10 komuna me shumicë shqiptarë, përfshin rajone të katër qyteteve, ka popullsi urbane dhe rurale dhe shumëllojshmëri shtresash sociale, profesionale e të tjera. Gjithashtu komuna më e madhe ka vetëm 20% të votave të njësisë, që do të thotë se këtu nuk mund të fitohet me lokalizëm, gjë që e ka dëshmuar më së miri rezultati i partive me mbështetje ekskluzivisht në Tetovë ose Gostivar. Për këtë rezultati në këtë njësi mund të merret si pasqyrë reale e disponimit të elektoratit kudo, ndërsa fituesi në gjashtëshe si fitues i përgjithshëm i zgjedhjeve te shqiptarët. Zatën edhe në të kaluarën fituesi në nivel shteti përherë ka qenë fitues edhe në gjashtëshe.
Mbështetja. Thirrjet për koalicionim të opozitës nuk janë diçka e re. Madje edhe propozimi më lartë ka lindur pas këmbimit të mendimeve me miq dhe publicistë tjerë për të gjetur modelin më të mirë për bashkëpunim opozitar, nëse veçmë nuk mund të bëhet një koalicion i përgjithshëm kudo. Më tej, përveç qarqeve publike, këtë bashkëpunim duket se me çdo kusht e kërkon edhe opinioni më i gjerë pro ndryshimeve. Këto ditë duket se gjithkund dëgjohet kërkesa që partitë opozitare të bashkëpunojnë ose të zhduken. Pra duket sikur elektorati do të shpërblejë opozitën vetëm nëse kjo gjen mënyrë për të koalicionuar dhe se fare lehtë mund të mos votojë asnjërën parti nëse ato nuk gjejnë gjuhë të përbashkët.
Topi tani është te vetë partitë. Ato duhet të jenë të vetëdijshme se kanë shans historik të shënojnë kthesë të madhe në skenën politike shqiptare nëse kanë sens për bashkëpunim. Mirëpo nëse te liderët e sotëm mbizotërojnë kapriçot personale, kryelartësia e vetëpëlqimi, ata mund të përsërisin gabimin e liderëve të 2011 dhe të zhduken përgjithmonë nga skena politike.