Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon reforma strukturore në Maqedoni. Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe transparenca e institucioneve duhet të rrisë besimin te sistemi dhe të kontribuojnë për investime të reja. Ai gjithashtu kërkon ndryshime në tregun e punës për të ulur papunësinë dhe për të parandaluar ikjen e kuadrove të kualifikuar, i cili tashmë po krijon presion edhe mbi Fondin Pensional.
“Që Fondi Pensional të jetë i qëndrueshëm, ne propozojmë zhvendosje të kufirit të moshës për pensionim në përputhje me BE-në, sepse jetëgjatësia është e njëjtë. Ju keni një nga normat më të larta të papunësisë në Europë dhe keni nevojë për reforma të politikave. Keni një shkallë të lartë migrimi në vendet e zhvilluara, duhet që ato kuadro të cilat ikin nga vendi t’i mbani këtu, t’u ofroni vende pune dhe përmirësim të kushteve për punë”,- tha shefja e misionit të FMN-së në Maqedoni, Jasmin Rahman.
Banka Qendrore Evropiane këshillon krijimin e një mjedisi financiar në të cilën do të mundësojë që ajo të përballojë goditje të reja. Për periudhën e ardhshme nuk planifikohet rritja e normës së interesit, sigurojnë nga Banka Qendrore Evropiane.
“Ne duam të sigurohemi se kemi kushte të përshtatshme financiare në eurozonë, të cilat korrespondojnë me situatën ekonomike. Kemi politika të qarta në lidhje me ciklin e biznesit në eurozonë dhe nuk do të rrisim normat e interesit para ciklit të ardhshëm”,- tha anëtari i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Benoa Kere.
Bankierët ranë dakord se ekonomia globale po rimëkëmbet, por në afat të mesëm dhe të gjatë ka rreziqe dhe sfida.
“Rimëkëmbja globale është forcuar kohët e fundit, por ende ka shqetësime në lidhje me qëndrueshmërinë e saj. Produktiviteti i ulët edhe më tej i mban të mjegulluara perspektivat për prosperitetin e ardhshëm ekonomik dhe rritjen, inflacioni mbetet i ulët në shumë vende”,- u shpreh guvernatori i Bankës Popullore të RM-së, Dimitar Bogov.
Në konferencë ndërkombëtare në Shkup kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë nga FMN-ja, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane, guvernatorëve të bankave, si dhe njerëz të rëndësishëm nga bota e financave. Ata diskutuan për ekonominë globale, marrëveshjet monetare, aktuale dhe sfidat e së ardhmes./al.mrt/