Shtabi i kandidatit në Komunën e Gostivarit, Arben Taravari, ka reaguar ndaj portalit AIN (Artin Spahiu & Artan Grubi) në lidhje me publikimin e lajmeve tendencioze me qëllim të dëmtimit të figurës së Arben Taravari, njofton Fol.
”Lajmi ndërthuret rreth një fotografie të Arbenit me bashkëqytetarë të tij, e cila për hir të vërtetës është bërë ditën e votimit më 15 tetor në qendër të Gostivarit, e jo siç pretendohet të jetë bërë diku fshehur në klubet e Shkupit dhe pas 15 tetorit, ashtu siç bën oponenti i Arben Taravarit në këto zgjedhje.
Arben Taravari nuk fshihet bodrumeve, por ballëhapur dhe pa droje del para qytetarëve të Gostivarit sepse ai gjithnjë ka qenë në krah të tyre, si mjek, si politikan, si fqinj i mirë. Tendenca e këtij shkrimi të portalit në fjalë tenton të dëshmon lidhje të Taravarit me OBRM-në, duke harruar që portal-paguesit (BDI) për tetë vite me radhe ishin në prehrin e Gruevskit dhe Mijallkovit dhe vazhdojnë pa zgjedhur metoda dhe pa llogaritur pasojat të kërkojnë mënyra për të shpëtuar nga humbja dhe mundësia për ti fshehur pisllëqet dhe kriminalin e tyre. Ju lutemi mos tentoni me tekste të trilluara pa asnjë fije fakti dhe dëshmie të nënçmoni mendjemprehtësinë e shqiptarëve të Gostivarit dhe të Maqedonisë në përgjithësi.
Shqiptarët ju kanë lexuar mirë, i kanë kuptuar lojërat e juaja dhe servilizmin tuaj ndaj çdo pushteti. Ata shumë mirë e dinë që ju natën i shani ndërsa ditën i lusni të ju marrin në prehrin e tyre. Shqiptarët e dinë se ju për pushtet bëni çmos.
Ne nuk merremi me trillime por vetëm me fakte, dhe kësaj radhe ju sjellim një vendim të qeverisë së shokut Bejta, i cili e lufton Gruevskin dhe OBRM-PDUKM duke ndarë fonde në vlerë prej 5.000 euro në muaj për mbështetje të familjes së kriminelit të luftës Johan Tarçuloskit”.
Nga atje thonë se deri më sot, nuk jemi në dijeni se fonde të tilla janë të paguara për ndonjë familje të invalidëve të luftës, ushtarë të UÇK-së, e mos të flasim për familjet e dëshmorëve të cilët edhe pas 16 viteve të mbarimit të konfliktit, akoma jetojnë në varfëri të skajshme pa asnjë ndihmë dhe status të zgjedhur institucional. /Fol/