Përfaqësuesja e Kosovës po përgatitet për sfidat në Ligën B të UEFA Nations League, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka bërë të qarta objektivat e ekipit për këtë edicion. Ai vlerësoi se Austria mbetet favorite e grupit, por theksoi se “Dardanët” do të luftojnë maksimalisht për pozitën e dytë dhe për ta ruajtur statusin në këtë nivel të garës.
Duke folur për përbërjen e grupit, Foda theksoi se bëhet fjalë për një konkurrencë të fortë, ku çdo pikë do të ketë peshë të madhe. Ai u shpreh se qëllimi kryesor është të bëhet gjithçka për të arritur vendin e dytë, ndërsa theksoi se ruajtja e nivelit dhe shmangia e rënies në Ligën C është minimumi që synon skuadra.
“Është e qartë se Austria është favorite, por është një grup interesant. Qëllimi ynë është të bëjmë gjithçka për ta arritur vendin e dytë, sepse është një grup i fortë. Të paktën duhet ta ruajmë nivelin dhe të mos biem në Ligën C”, deklaroi Foda.
Përzgjedhësi foli edhe për rikthimin e tij në Austri, duke e cilësuar si një moment emocional përballjen me ish-lojtarët e tij. Ai u shpreh i lumtur që do të luajë kundër tyre dhe shpreson në mbështetje të madhe nga tifozët shqiptarë në Austri, megjithatë theksoi se përqendrimi i tij mbetet te përgatitjet për ndeshjet e muajit mars. Kosova do ta nisë këtë aventurë me synimin për të vazhduar me paraqitje pozitive dhe për të dëshmuar se i përket Ligës B.
“Sa i përket rikthimit në Austri, jam i lumtur të luaj kundër tyre, të shoh ish-lojtarët e mi dhe shpresoj që të kemi shumë mbështetje në Austri. Por përqendrimi im është ende te muaji mars”, përfundoi përzgjedhësi i Kosovës.


