Kanë dalë para Gjykatës së Durrësit katër personat që ndodheshin në lokalin ku u vra 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti, pas konfliktit për një kafe.
Gjykata ka vendosur për të katër të arrestuarit masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit.”
Personat që janë vënë në pranga janë Erald Cani, Ergi Kadiu dhe vëllezërit Taulant Beqja dhe Emirjan Beqja, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.
Kujtojmë se në kërkim është shpallur Daniel Pepa, i cili dyshohet si autor i vrasjes së Flori Paluçit, pasi ky i fundit kishte qëlluar më parë mikun e tij, Aranit Kurtin.
Dinamika e ngjarjes
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani).
Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti.
Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë.
Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin Florian Paluçi.). Si pasojë u vranë shtetasit Florian Paluçi dhe Aranit Kurti.
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin Daniel Papa.
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Flori Paluçi, shtetasin Daniel Pepa si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..


