Katër të akuzuar për vjedhjen në “Tutunska banka” në seancën e sotme në Gjykatën Penale të Shkupit do t’i parashtrojnë fjalët përfundimtare. Ata në seancën e kaluar gjyqësore e pranuan fajin, por nuk zbuluan se çka kanë bërë me paratë e vjedhura. Prokuroria publike kumtoi se që të katërt janë deklaruar si fajtorë dhe se me paramendim dhe në shumë veprime të ndërlidhura me kohë, duke e shfrytëzuar pozicionin e tyre punues dhe njohjen e proceseve të punës në bankë, ilegalisht kanë përvetësuar mjete financiare në vlerë të përgjithshme prej 400.0000 frangave zvicerane dhe 375.000 euro. Më 10 prill të këtij viti kanë kryer vjedhje edhe të 2.000.000 frangave zvicerane dhe 270.000 euro.
Edhe pse i kanë pranuar në tërësi akuzat nga akti i prokurorisë, të paditurit nuk kanë zbuluar se çka kanë bërë me paratë e vjedhura. Nga Prokuroria publike informojnë se për veprën e kryer penale vjedhje e rëndë nga neni 236 paragrafi 3, sa i përket lëndëve në vlerë prej përmasave të mëdha, është caktuar dënim me burg prej tre deri në dhjetë vjet. Për veprën penale nga neni 239 paragrafi 5 – përvetësim, kodi ligjor cakton dënim me burg prej një deri në 10 vjet.