Gjithsej 69 kompani do të marrin mbështetje financiare nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik përmes thirrjes publike për grande të bashkëfinancuara për zhvillimin teknologjik. Në këtë thirrje investimet do të jenë gati 14 milion euro që do t`ju shpërndahen kompanive.
“Ky është tregues shumë i rëndësishëm se edhe në kushte të krizës ka kompani vendore të cilat janë të gatshme me mbështetje minimale shtetërore të investojnë në zhvillimin e tyre, e me këtë edhe në zhvillim të ekonomisë në vend. Me publikimin e sotëm të rezultateve, nxisim cikël të investimeve në sektorin privat të ekonomisë vendore prej 14 milionë euro që është shumë e rëndësishme në periudhë të rimëkëmbjes ekonomike.”,- u shpreh drejtori i FIZHT-it, Jovan Despotovski.
Nga numri i përgjithshëm i kompanive të cilat do të marrin mbështetje financiare, pjesa më e madhe, ose 36 për qind, janë kompani të cilat paraqiten për herë të dytë ose më shumë në thirrjet e Fondit të cilat paraprakisht ishin të pasuksesshme, që, sipas Despotovskit, domethënë se po zhvillohet kulturë e këmbëngulësisë te kompanitë dhe sektori privat ka besim në FIZhT. Mjetet që do të marrin kompanitë do të përdoren për blerjen e pajisjeve, dixhitalizim, softuerin për përmirësimin e organizimit dhe për zbatimin e projekteve të efikasitetit energjetik.



