Udhëheqja e VV-së në skenën politike kosovare dhe paraqitja e shansit historik që kjo parti të udhëheq edhe qeverinë e Kosovës, pritet pozitivisht edhe te shqiptarët e Maqedonisë. Ardhja në pushtet e një force të re politike në Kosovë, shihet si rast i mirë për “dridhje” të strukturave të korruptuara politike shqiptare edhe në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike shqiptare në Maqedoni
Shkup, 26 gusht – Anketat e para të realizuara pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje është partia me rejtingun më të lartë. Përveç kësaj, anketat tregojnë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është politikani me rejtingun më të lartë. Kjo vetëm i rrit shpresat e qytetarëve të Kosovës se do të kthehet fitorja që iu “vodh” Vetëvendosjes në vitin 2017 duke i pamundësuar të formojë qeverinë edhe pse fitoi numër më të madh të deputetëve.
Në një koment të tij lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, shkrimtari i njohur Kim Mehmeti thotë se Kosovën e sunduan për një kohë të caktuar thuajse të gjitha partitë tjera përpos Lëvizjes VETËVENDOSJE. Dhe se gjitha ato më shumë i morën se sa i dhanë vendit.
Sipas Kim Mehmetit, sot është e pandershme dhe perverse të mos e përkrahësh këtë Lëvizje, e cila në të shkuarën ishte e vetmja që e mbronte vendin nga shitësit e zhvatësit e saj, Më poshtë ua sjellim komentin e plotë të Kim Mehmetit, të publikuar në faqen e tij të FB:
“Përpos Lëvizjes VETËVENDOSJE thuajse të gjitha partitë tjera e kanë sunduar Kosovën. Dhe gjitha ato më shumë i morën se sa i dhanë vendit si dhe, dëshmuan se më shumë se sa fati e mirëqenia e shtetit, i interesonte fati dhe e mira e sunduesit dhe e ‘oborrtarëve’ të tij. E VV ishte thuajse e vetmja që e flijonte vetveten për ta mbrojtur Kosovën nga këta shitës dhe zhvatës të saj. Andaj duhet të jesh hienë politike që sot ta kritikosh VV dhe liderin e saj për mjerimin që jeton Kosova. Dhe duhet të jesh mbi mesataren i pafytyrë, qëllimkeq si dhe pervers politik i përmasave monstruoze që të mos e pranosh se VV është shpresa e vetme e mbetur dhe e pa harxhuar e Kosovës!”, shkruan Kim Mehmeti.
Udhëheqja e VV-së në skenën politike kosovare dhe paraqitja e shansit historik që kjo parti të udhëheq edhe qeverinë e Kosovës, pritet pozitivisht edhe te shqiptarët e Maqedonisë. Ardhja në pushtet e një force të re politike në Kosovë, shihet si rast i mirë për “dridhje” të strukturave të korruptuara politike shqiptare edhe në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike shqiptare në Maqedoni.
“Duke pasur parasysh lidhjen që kanë pasur nga Organizata marksist leniniste e Kosovës, pastaj Lëvizja Popullore e Kosovës, duke vazhduar me mbështetjet e ndërsjella gjatë fushatave parazgjedhore jo vetëm në formë politike por edhe me forma të tjera, pastaj lidhjet edhe me strukturat e korruptuara të partive tjera që nuk kanë dalë nga OMLK por që më pas i ka lidhur krimi dhe korrupsioni, strukturat e vjetra politike formuan një koalicion të dëmshëm për shqiptarët që ishte i pathyeshëm për dy dekada pikërisht falë kësaj lidhje. Fitorja e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes do ta rrëzonte nga froni kokën e këtij organizimi që ka qendrën në Prishtinë dhe do ta linte pa logjistikë klasën politike të deritanishme që ka udhëhequr shqiptarët në Maqedoni”, vlerëson analisti politik, Arben Zeqiri në deklaratën e tij për gazetën Lajm.
Sipas tij, një Qeveri e pakorruptuar në Kosovë mendoj se jo vetëm që do ta ndërpriste krimin dhe korupsionin në Maqedoni dhe Kosovë, por edhe do ta zbulonte dhe denonconte atë dhe do ti nxjerë në shesh shumë veprime të pazbuluara deri më tani. Për këtë arsye, ai nuk përjashton mundësinë që këto struktura të korruptuara në Maqedoni të mobiliozohn për të mbështetur strukturat simotra në Kosovë, për të penguar fitoren e VV-së, ose formimin e një qeveri me kryeministër Albin Kurti.
“Unë kam drojë se duke patur parasyshë se edhe shumë parti të tjera në Kosovë më vonë janë lidhur me krimin dhe ata mund përsëri të bashkohen edhe pas zgjedhjeve dhe të pengojnë qeverisjen e Vetëvendosjes edhe nëse kjo del si parti e parë me numër votash. Në zgjedhjet e fundit kjo ndodhi përmes një koalicioni parazgjedhor, ndërsa tani mund të ndodh me koalicion pas zgjedhor kur shumica e partive që janë përfshirë në krim do të shohin rrezikun nga llogaridhënia dhe përballja me drejtësinë. Gjithashtu edhe lobimet nga partitë shqiptare nga Maqedonia që do të ndjehen të rrezikuara mund ti shtyjnë edhe të gjitha partitë e tjera në Kosovë në një koalicion kundër Vetëvendosjes vetëm e vetëm të shpëtojnë kokën”, thekson Zeqiri.
Nëndërkohë gjërat po lëvizin në favor të VV-së, të cilës po i bashkëngjiten vazhdimisht figura të rëndësishme politike, që shtojnë gjasat për fitore të bindshme zgjedhore të kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme.
Një prej këtyre figurave është edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Ai tha se kandidati më i duhur për kryeministër të Kosovës është Albin Kurti dhe se është krenarë që i është bashkuar Vetëvendosjes dhe se do ta përkrahë kandidaturën e Kurtit për Kryeminstër.
“E kam thënë edhe më 2017 në Klan Kosova, e kam thënë edhe dje, po e them edhe sot, se kandidati më i duhur për kryeministër të Kosovës është Albin Kurti, të cilit do t’i jap përkrahje dhe ndjehem mirë që jam pjesë e subjektit të tij politik”, ka theksuar Bahtiri. (a.m.)