Vallë ndërmarrjet ku pjesëmarrje ka zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, do të marrin transhe të re të ndihmës nga shteti? Sipas dokumenteve deri te të cilat erdhi sot Alsat M, shefi i Kabinetit të zëvendëskryeministrit, Sofçe Jovanovska, si kryetare e Komisionit për vlerësim, i ka radhitur ndërmarrjet „Brako“ dhe „Kast invest“ si fitues të mundshëm të ndihmës shtetërore për avancimin e biznesit. Konstatimi nga vlerësimi i është dërguar Agjencisë për investime të huaja dhe promovim të eksportit. Pritet që sot pasdite, Komisioni qeveritar për sistem, të cilin e kryeson vetë zëvendëskryeministri Angjushev, ta marrë vendimin preliminar për ndihmë shtetërore për më shumë ndërmarrje.
Raporti me evaluim pozitiv për kompanitë, mes tjerave edhe në ato ku pjesë të madhe ka edhe zëvendëskryeministri Angjushev është dërguar më datë 19 të këtij muaji. E ka nënshkruar Sofçe Jovanovska ndërsa mes anëtarëve ka edhe pjesëtarë tjerë qeveritarë. Në pjesën, vlerësim të kompanisë Brako, komisioni ka shkruar:
Komisioni shtetëror për evaluim
“Komisioni mendon se komapnia i plotëson kushtet për marrjen e mbështetjes financiare sepse; Bën veprimtari prodhuese- 25.93 Prodhimin e telave, zinxhirëve dhe sustave; projekti investues nga plani afarist është i lidhur me veprimtarinë e prodhimtarisë; ka rritje të të ardhurave dhe ka numrin e njëjtë, gjegjësisht rritje të numrit të punëtorëve”
Përveç Brako në listën e kompanive të vlerësuara pozitivisht janë edhe Kast Invest SH.P.K. Pikërisht kjo kompani ishte në listën e fituesve të parave nga Fondi shtetëror për inovacione dhe zhvillim teknologjik. Edhe për këtë kompani Komisioni i evaluimit ka vlerësuar se i plotëson kushtet për marrjen e ndihmave shtetërore.
Ndihma për kompanitë që i ka vlerësuar komisioni është bërë pas ndryshimeve të Ligjit për mbështetjen e investimeve, pas të cilit fuqishëm qëndroi vet zëvendës- kryeministri Koço Angjushev.
Nga foltorja e Kuvendit ai siguroi se ndryshimet do të mundësojnë procedurë transparente për ndihmë shtetërorë ndaj kompanive, praktikë që në të kaluarën sipas tij, ka qenë e anashkaluar nga Qeveria e VMRO DPMNE-së, duke financuar rreth 20 kompani me shuma milionëshe.
Alsat-M