Instituti për hulumtime ekonomike dhe politika, Finance Think sot vlerësoi se dinamika e rritjes së BPV-së në tremujorin e parë pritet të vazhdojë edhe gjatë gjithë vitit, por tregoi se rreziqet prej kësaj rritje mbeten në lidhje me pasiguritë të cilat dalin nga marrëdhëniet tregtare globale.
“Në tremujorin e parë të vitit 2025, BPV-ja u rrit me tre për qind në bazë vjetore, duke ruajtur dinamikat e vitit të kaluar. Realizimi është në linjë me pritshmëritë tona të shprehura në Monitorin e mëparshëm makroekonomik dhe parashikimin prej 3,5 për qind për të gjithë vitin 2025. Rritja e konsumit personal (2,1 për qind) pasqyron rritjen pozitive reale të pagave, rritjen e pensioneve dhe rritjen e përshpejtuar të mbështetjes kreditore për familjet, ndërsa rritja e konsumit publik (1,1 për qind) u ngadalësua pasi u intensifikua gjatë vitit 2024. Rritja e përgjithshme e BPV-së nxitet gjithashtu nga rritja e investimeve bruto (18 për qind), por kjo rritje mbetet shumë e ndryshueshme. Ndërkohë, eksportet (1,2 për qind) dhe importet (5,8 për qind) vazhduan të pasqyrojnë pasiguri midis partnerëve tregtarë në kontinentin evropian. Nga ana e prodhimit, rritja në këtë tremujor është në bazë më të gjerë në krahasim prej më herët, me realizime solide tek industritë prodhuese (3,7 për qind) dhe ndërtimin (7,1 për qind), por në llogarinë e ngadalësimit të pjesërishëm në rritjen e shërbimeve (2,2 për qind)”, theksoi Finance Think në publikimin e sotëm në monitorin Makroekonomik.
Siç shtoi, papunësia në tremujorin e parë të vitit 2025 u ul pak më ndjeshëm në 11,7 për qind (nga 11,9 për qind). Në këtë tremujor, potencoi Instituti, vazhdon ulja graduale e kufizimeve në tregun e punës, duke marrë parasysh se janë krijuar gati dy mijë vende të reja pune dhe aktiviteti i popullsisë ka mbetur i qëndrueshëm (52,4 për qind).