Filmi “Biznesi i kënaqësisë” do të shfaqet në edicionin e 30-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Sedona, që do të mbahet nga 24 shkurtu deri më 3 mars në Arizona të SHBA-ve.
Misioni i organizatorëve është të mbështesin veprat e pavarura filmike nga e gjithë bota, nevojën për të kuptuar natyrën njerëzore dhe njohjen e vlerave të vërteta përmes filmit.
“Biznesi i kënaqësisë” do të jetë gjithashtu një nga tetë filmat në përzgjedhjen zyrtare të Festivalit të Filmit Fargo, i cili do të mbahet në datat 19-23 mars.
Publiku do të jetë në gjendje ta shikojë atë në kinemanë historike Fargo në Dakotën e Veriut të SHBA-ve. Festivali ekziston që prej 24 vitesh dhe programi i tij ndër vite është pasuruar me praninë e emrave të shumtë të shquar nga bota e filmit.
Anëtarët e jurisë së Festivalit të Filmit Fargo, në letrën për përzgjedhjen zyrtare, theksonin: “Kemi marrë shumë aplikime të cilësisë së lartë këtë vit, por juria mendoi se filmi juaj është vërtet mbresëlënës dhe në thelb kap krizën dhe gjendjen tragjike. të botës. Jemi vërtet të emocionuar që e ndajmë këtë film me audiencën tonë.”
Vitin e kaluar filmi u prezantua me sukses në “Orlando Film Festival” në SHBA, ku u nominua në pesë kategori. Më pas ai mbylli edicionin e 34-të të Festivalit të Filmit Cineworld në Florida.
“Biznesi i kënaqësisë” deri më tani është përzgjedhur në njëzet festivale, dhe ka fituar pesë çmime.
“Biznesi i kënaqësisë” është një thriller që trajton temën e trafikimit të grave. Filmi paraprakisht ishte promovuar në publikun maqedonas me titullin punues “Dita e Gruas”, ndërsa pas pjesëmarrjes në “American Film Market” në Los Angeles dhe marrëveshjes për distribuim me kompaninë amerikane “Prince Films”, filmi mori emrin e ri.
Ekipi i produksionit beson se titulli i ri është më provokues dhe do ta prezantojë më mirë këtë vepër para publikut.
Në film luajnë: Musa Isufi, Sladjana Vujosevic, Ismail Kasumi, Damjan Cvetanovski, Osman Ahmeti, Eleni Dekidis, Mendim Murtezi, Egzona Salihu, Avni Dalipi dhe Katerina Kocevska.(INA)