Në forumin e sotëm për caktimin e kritereve për financim të projekteve të komunave, ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu, theksoi se me forumin, në mënyrë praktike fillon implementimi i aktiviteteve konkrete në kuadër të projektit “Përmirësimi i menaxhimit të komunave”, i cili implementohet së bashku me UNDP-në, ndërsa është mbështetur financiarisht nga ana e Bashkimit Evropian.
Për projektin BE-ja ka ndarë 2,4 milionë euro.
“Në kuadër të projektit është planifikuar financim i tetë projekteve, në tetë rajonet e planifikuara, ndërsa në fazën e dytë do të financohen projekte edhe në 30 komuna, në vlerë të përgjithshme prej mbi një milion euro”, theksoi Fazliu.
Ai theksoi se gjatë konsultimeve të sotme ishin marrë vesh për parimet e përgjithshme në bazë të së cilave do të ndërtohen kritere për përgatitje dhe zgjidhje të tetë projekteve të para.
“Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për rajone të planifikuara, para së gjithash ata duhet të kenë komponentë zhvillimore. Kjo nënkupton që të inkurajohet zhvillimi i rajoneve të planifikuara dhe të rritet konkurrenca e tyre në kuadër të politikës zhvillimore rajonale të BE-së”, konstatoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale.
Fazliu theksoi se gjatë krijimit të vetë projekteve duhet të merren parasysh qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm si vizion drejt së cilit synohet përmes realizimit të politikave zhvillimore lokale dhe kombëtare.
Përmes menaxhimit më të mirë në nivel lokal të sigurojmë qasje më të mirë deri te shërbimet dhe cilësi me të mirë të jetesës të të gjithë qytetarëve. Edhe ky projekt është hap në këtë drejtim, konkludoi Fazliu.