Nxënësit e ciklit të ulët të shkollës fillore “Naim Frashëri” nga qyteti i Kumanovës, kanë vizituar Universitetin e Tetovës, ndërsa drejtuesit e kësaj shkolle, në kuadër të agjendës së tyre për të realizuar vizita në institucione të rëndësishme në vend, kanë përzgjedhur pikërisht UT-në për ta vizituar dhe për t’i njohur nxënësit e tyre me veprimtarinë arsimore dhe shkencore që e zhvillon ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë.
Filloristët shqiptarë nga Kumanova në UT u pritën nga profesorët e Fakultetit Filozofik, Doc. Dr. Kushtrim Ameti, Doc. Dr. Lulzim Murtezani dhe përgjegjësi i protokollit z. Hamit Hajrullai. Ata i njohën vizitorët me ambientet e Universitetit, amfiteatrot, auditorët ku realizohen ligjëratat e programeve të ndryshme studimore, aktivitete të tjera, si: promovime librash, konferenca shkencore, debate dhe vizita të autoriteteve të larta shtetërore nga vendi ynë, rajoni dhe shtetet perëndimore.
Në këtë takim, nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” zhvilluan edhe një bashkëbisedim me profesorët e UT-së, duke shfaqur interesimin, planet e tyre të ardhshme për të vijuar studimet në programet studimore që ofron Universiteti i Tetovës.
Kurse vizita të ngjashme në UT, kanë realizuar edhe shkolla të tjera fillore dhe të mesme nga vendi ynë dhe më gjerë.

