Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi se pas shumë vitesh pritjeje dhe pengesash administrative do të fillojë rikonstruimi dhe modernizimi i Sallës universale – një nga simbolet më të rëndësishme kulturore të Shkupit dhe të Maqedonisë së Veriut.
Procesi për zgjedhjen e kontraktorit për Sallën universale është përmbyllur me sukses pasi Komisoni Shtetëror për Ankesa mbi prokurimet publike e hodhi poshtë si të pabazë ankesën e operatorit ekonomik dhe konfirmoi përzgjedhjen e ofertës më të favorshme. Me këtë hiqet edhe pengesa e fundit ligjore për fillimin e punimeve ndërtimore. Me vendimin konfirmohet përfundimisht Vendimi për zgjedhjen e ofertës më të favorshme nga data 23.03.2026 dhe është zgjedhur kontraktori përfundimtar i projektit, njoftojnë nga Ministria.
Projekti siç theksohet, do të realizohet sipas parimit “çelës në dorë”, ndërsa rikonstruimi i Sallës universale pritet të përfundojë deri në dhjetor të vitit 2027. Ky është një projekt kyç në kuadër të përgatitjeve të Shkupit për marrjen e titullit prestigjioz – Kryeqyteti evropian i kulturës 2028.
Me pamjen e re të Sallës universale, Shkupi do të marrë një institucion kulturor modern, funksional dhe përfaqësues, i cili do të jetë nikoqir i shfaqjeve teatrore të nivelit të lartë, koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve të mëdha kulturore. Ky është një investim në të ardhmen e kulturës së Maqedonisë së Veriut, një investim te artistët tanë, te publiku ynë dhe te gjeneratat e ardhshme, informojnë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, duke shtuar se mbeten plotësisht të përkushtuar për realizimin transparent, ligjor dhe të shpejtë të të gjitha projekteve kapitale që forcojnë identitetin kulturor të vendit tonë.




