Rasti “Treqind” për blerjen e 300 makinave për nevojat e policisë filloi të gjykohet, por që në seancën e parë është të anulohet shqyrtimi pasi i akuzuari i vetëm mungonte. Siç njoftuan avokatët e tij, ish ndihmësi i ministrit të Brendshëm, Gjoko Popovski është i sëmurë dhe për këtë ka edhe vërtetim mjekësor dhe se mjeku i ka rekomanduar të pushojë.
Por, prokurorja Fatime Fetai nuk pranonte këtë arsyetim dhe kërkoi mendim nga një ekspert i pavarur i cili do ta vlerësojë raportin mjekësor dhe do të tregojë nëse Gjoko Popovski është i aftë të vijë në gjykim ose jo.
Fatime Fetai, prokurore
“Nëse ai është i bllokuar në qafë, nuk do të thotë se ai nuk mund të flasë. Mund të vijë në gjykatë. I akuzuari nuk ka hapur as pushim mjekësor, por edhe po të kishte hapur pushim mjekësor, ai mund të vijë të ndjekë gjykimin dhe të flasë”
Një prej avokatëve të Popovskit, Boro Tasevski u nervozua me këtë qasje të Fatime Fetait dhe i kërkoi gjykatës që ta shkruajë në procesverbal deklaratën e prokurores se do përndjek njerëzit e inkriminuar qofshin edhe në shtrat të vdekjes.
Gjykatësja Lidija Petrovska e pranoi propozimin që të sillet ekspert i i cili do të vlerësojë dokumentacionin mjekësor dhe kështu në seancën e ardhshme që është më 21 nëntor, do të dihet nëse Gjoko Popovski mund të ndjekë gjykimin në të cilin është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për Popovskin, Prokuroria Speciale pati propozuar edhe paraburgim, por në vazhdën e refuzimeve masive të Gjykatës Penale, ra edhe ky propozim.
Në rastin “Treqind”, Prokuroria Speciale heton një keqpërdorim tenderi për blerjen e 300 makinave për nevojat e policisë. Prokuroria Speciale ka vërejtur se tenderet u janë dhënë kompanive që nuk i plotësojnë kushtet dhe që kanë çmim më të lartë se të tjerat që kanë konkurruar. Dëmi i shkaktuar nga ky tender sipas PSP-së është mbi 450 mijë euro. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

