Fortesa 2 për të akuzuarin Goran Grujovski i dyshuar për falsifikim dokumentacionesh në DSK filloi me përplasje mes prokurorit dhe mbrojtje nëse duhet ose jo provat e marra në DSK të përdoren në procesin gjyqësor, raporton SHENJA.
Kjo pasi avokatët e Grujovskit pohojnë se provat janë marrë në mënyrë anti ligjore dhe pa leje nga personat e autorizuar në DSK dhe se me përdorimin e tyre në proces vetëm do të cënoheshin sekrete shtetërore dhe ushtarake.
Por prokurori Trajçe Pelivanov ngul këmbë se provat janë marrë në mënyrë ligjore dhe për këtë ka edhe dëshmi të pranim dorëzimit. Sipas tij provat janë deklasifikuar për tu përdorur vetëm për nevojat e procesit gjyqësor e jo për ti shpërndarë në opinion.
Mbrojtja tenton ti heq provat nga përdorimi dhe kështu të bie poshtë edhe vetë aktakuza ndaj Grujovskit. Por prokurori i Speciales Trajce Pelivanov i tha mbrojtjes se dëshiron të manipulojë opinionin duke interpretuar ligjet sikur i konvenjnë, por mbrojtja refuzoi te quhet interpretimi i tyre si manipulim.
Në sallë gjendeshin gjashtë administratore të dyshuara së bashku me Grujovskin.
Grujovski kishte ndryshuar tërësisht imazhin. Kishte hequr mjekrën, kishte vendosur syze dhe mbante një çantë dorë që zakonisht mbajnë avokatët dhe teksa u fut në gjykatë pa shoqërinë e askujt, gazetarët mezi e identifikuan.
Ferikan Iljazi /SHENJA/

