04 September
Pesë institucione kanë hapur dyert për qytetarët edhe pas orës 16:00. Nuk ka nevojë më për vrapim nga puna apo në mëngjes për të nxjerrë ndonjë dokument të caktuar. Orari i ri i punës prej 07:00 deri në 21:30 nga një shtatori filloi në DAP, Doganë, në Sektorin për punë administrative – mbikëqyrëse në MPB, Drejtoria e librave amë dhe në repartet për mbrojtjen e rajoneve me qytetet dhe komunat.
Bëhet fjalë për institucione me orientim shërbyes, gjegjësisht që ofrojnë ndonjë lloj shërbimi për qytetarët. Ky vendim duhet ta lehtësojë jetën e qytetarëve, më saktë këto shërbime të jenë më të kapshme. Ndërrimi i dytë do të mundësojë nxjerrjen më të lehtë dhe më të shpejtë të dokumenteve elementare siç është certifikata e lindjes, e kështu me radhë- tha Dijana Zhupanoska nga Qendra për strategji evropiane “ Euro think”.
Nga institucionet që janë të rëndësishme për qytetarët dhe kompanitë dhe ku shpesh ka radhë të tëra para sporteleve, në këtë listë nuk gjendet Kadastra. Arsyeja është se ajo nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të qeverisë. Nga Kadastra sot nuk morëm përgjigje nëse planifikohet zbatimi i ndërrimit të dytë. Sipas Zhupanoskës, në këtë situatë nuk duhet menduar vetëm për nevojat e qytetarëve, por edhe për punonjësit në këto institucione.
Puna në ndërrime ndikon tek individi, gjegjësisht tek punonjësit dhe sipas ligjit për marrëdhënie pune, punonjësve të këtillë u takon shtesa. Duhet pasur kujdes për baraspeshën mes jetës private dhe punës, më saktë e tërë kjo të organizohet mirë nga punëdhënësi në rastin konkret- theksoi Dijana Zhupanoska.
Nga një shtatori, ndërrimi i dytë ka filluar edhe tek kopshtet e fëmijëve. Nga komuna e Karposhit paralajmëruan se nuk do ta respektojnë këtë vendim të qeverisë me arsyetimin se 10 çerdhet kanë mungesë të personelit.
Mirko Trajanovski

