Në kampin për trajnim “Pepelishte” sot u mbajt ceremonia ushtarake me të cilën u emërua fillimi i stërvitjes nacionale në terren “Shkëlqimi 22”. Stërvitja do të mbahet në periudhë nga data 3 deri më 11 prill, me kryerjen e aktiviteteve në poligonin e armatës “Krivollak”,kampin për trajnim “Pepelishte”, kazermën “Jane Sandanski” – Shtip dhe kazermën “Strasho Pinxhur” – Petrovec, informon Ministria e Mbrojtjes.
Në stërvitje do të marrin pjesë rreth 1100 pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe një numër i caktuar i vlerësuesve dhe vëzhguesve nga NATO-ja. Nga Ministria thonë se qëllimi kryesor i stërvitjes “Shkëlqimi 22” është vlerësimi i gatishmërisë luftarake të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë (BLK), në përputhje me Standardet për Vlerësimin e Komandave Tokësore dhe njësive të Komandës së Përbashkët Operative të NATO-s – CREVAL (Combat Readiness Evaluation).
Në ceremoninë e hapjes së sotme të stërvitjes morën pjesë komandanti i Komandës Operative, gjeneral i brigadës Besnik Emini dhe komandanti i Brigadës së Parë të Këmbësorisë, kolonel Sashko Lafçiski, ndërsa para pjesëmarrësve të stërvitjes mbajti fjalim drejtori i stërvitjes, nënkoloneli Zoran Sumraçki.



