Anëtarë të Sindikatës së Pavarur të Policisë sot në mesditë dolën në protestë para gjykatave në Shkup, në udhëkryqin te QT “Mavrovasja”, duke kërkuar që të respektohet Ligji për pagën minimale dhe procedurat gjyqësore të zbatohen në afatet e parapara ligjore.
“Paga bazë e policisë nuk mund të jetë nën pagën minimale në shtet. Kërkojmë barazim të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Apelit – Shkup me gjykatat e apelit nga Manastiri dhe Gostivari, që e konfirmojnë kërkesën tonë”, thonë nga Sindikata e Pavarur e Policisë, organizatori i protestës.
Sipas paralajmërimeve, pas fjalimeve pjesëmarrësit do të shkojnë në këmbë drejt Këshillit Gjyqësor.