Eskavatorë e punëtorë po e bëjnë gati terrenin për të filluar me pastrimin e doponisë më të rrezikshme në vend. Vendi i deponisë është i rrethuar me shirit, ndërsa erë e rëndë kundërmon gjithandej. Me dekada në oborrin e fabrikës Ohis, rreth 60 mijë ton lindan po qëndrojnë brenda të përziera në dhè. Plani është që deponia e vogël të pastrohet për një vit, ndërsa sot filluan me aktivitete përgatitore që përfshijnë pastrimin e terrenit, sigurimin dhe instalimin e pajisjeve dhe makinerive të nevojshme.
“Pas heqjes së shtresës së sipërme nga toka e grumbulluar, sipas të dhënave që kemi do të gropohet rreth një metër dhe 70 në thellësi ku gjendet lindan dhe izomere gjegjësisht koritë prej betoni. Pra, do të gërmohet rreth 1 metër e 70 pastaj do të pastrohet, do të gërryhet, do të hiqet betoni dhe do të hulumtojmë nëse HCPH ka depërtuar në tokë”, tha një ekspert.
Me maska e mjete mbrojtëse ministri i mjedisit Naser Nuredini së bashku me ekspert në këtë fushe bënë një xhiro për të parë nga afër fillimin e punimeve. E pyetëm a janë të rrezikuar qytetarët të cilët jetojnë përreth kësaj deponie.
“Gjatë gjithë kohës do të analizohet edhe ajri edhe toka e cila do të pastrohet. Të gjitha masat do të merren që të sigurohemi të mos ketë pengesa ndaj qytetarëve. Në të njëjtën kohë do të kemi një fushatë ku do të punojmë në ngritjen e vetëdijes se si të kenë kujdes në këtë rrethinë këtu përderisa ka punime në Ohis”, deklaroi Naser Nuredini – Ministër i Mjedisit Jetësor.
Lindani do të pastrohet nga kompania “Poli Eko”, ndërkaq plani parasheh që lindani të eksportohet në Francë, ndërkaq në Holandë do të analizohet toka e kontaminuar.
“E gjithë puna do të zhvillohet në vend të mbyllur të në këtë mënyrë të mbrohen qytetarët dhe ambienti nga ndonjë rrezik eventual”, thonë nga Kompania Poli Eko.
Shkatërrimi I plotë i lindanit dhe izomerëve të tij nga deponia e vogël Ohis do të kushtojë 8 milion euro. Procesi zhvillohet me ndihmën financiare të Mbretërisë së Norvegjisë.