Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov në debatin “Platforma: 100% të përkushtuar për ty” me temën “Fokusi në drejtësi, siguri dhe mbrojtje” theksoi se Raporti i Komisionit Evropian paraqet një nxitje të fuqishme për reformat e nevojshme. Ai theksoi se ndryshimet në Këshillin gjyqësor dhe në Këshillin e prokurorëve publik do të jenë vendimtare për përparimin në rrugën drejt BE-së për të cilën nesër do të fillojnë debatet publike. Ministri informoi edhe për themelimin Odës së ekspertëve e cila sipas tij, do të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit juridik.
“Nuk kemi nevojë për asnjë raport që të na tregojë se si është situata dhe as nuk e kemi pritur për t’iu afruar hapave të reformës që u premtuam qytetarëve dhe për të cilat morëm besimin e tyre. Ne si ministri e Drejtësisë që nga dita e parë iu afruam procesit të reformës dhe marrjes së vendimeve dhe ndryshimeve në mënyrë që e gjithë kjo të shkojë në drejtimin e duhur, tha Filkov.
Theksoi se reformat në gjyqësor po zhvillohen në përputhje me strategjinë zhvillimore sektoriale për gjyqësorin për vitin 2024-2028.
“Ajo që është më e rëndësishme për ne në këtë periudhë janë reformat në gjyqësor dhe ato sigurisht që do të ndodhin në përputhje me strategjinë sektoriale zhvillimore për gjyqësorin për vitin 2024-2028”, theksoi ai.
Shtoi se një nga sfidat më të mëdha dhe reforma më domethënëse janë ndryshimet në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë që, sipas tij, “do të jenë kyçe për përparimin në rrugën drejt BE-së”.
“Tekstualisht nga nesër fillojmë debatet e ekspertëve për draft ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për këshillin gjyqësor të përgatitur nga grupi punues i formuar nga Ministria e Drejtësisë. Kjo do të jetë një nga disa ngjarjet që do të pasojnë këtë periudhë. Planifikojmë ta përfundojmë procesin diku nga fundi i dhjetorit, që do të thotë se do të kemi një debat në javë. Pritshmëritë janë të larta. Konkluzionet dhe rekomandimet e tryezës së rrumbullakët do të jenë bazë për përmirësimin e mëtejshëm të tekstit të ndryshimeve në ligjin për Këshillin gjyqësor”, tha ministri.
Në lidhje me çështjen e Odës së ekspertëve, ministri informoi se ajo është formuar pas tetë vitesh.
“Nga 25 tetori i vitit 2024 është bërë regjistrimi në Odën e Regjistrit qendror dhe ajo është funksionale. Ky është një hap i madh përpara për Odën e cila ka qëndruar për një kohë të gjatë dhe e ka privuar sistemin ligjor nga ekspertiza. Por, ajo që është e rëndësishme është se tani është funksionale dhe është vënë në funksion”, tha ai.
Shtoi se një nga risitë e Ligjit për ekspertizë është formimi i departamenteve të Odës profesionale.
“Ka 16 departamente profesionale, janë emëruar shefat dhe udhëheqësit e tyre, kështuqë, në seancën e kuvendit themelues janë zgjedhur organet e Odës dhe janë miratuar aktet e themelimit të saj. Kjo paraqet një hap kyç në përmirësimin e sistemit juridik dhe krijimin e një mekanizmi të fuqishëm për kontroll dhe mbështetje të ekspertëve nga Maqedonia. E njëjta Odë do të jetë përgjegjëse për licencimin, edukimin dhe mbikëqyrjen e ekspertëve dhe punën e tyre”, shtoi ministri.