Ministri i Drejtësisë Igor Filkov në konferencën e sotme për shtyp ka folur për gjendjen aktuale në sistemin gjyqësor, duke theksuar se Ministria tashmë punon në konfirmimin e gjendjes reale në terren dhe përgatit masa konkrete për tejkalimin e dobësive sistematike.
“Kohëve të fundit, opinioni ishte dëshmitar i ngjarjeve të cilat plotësisht e përforcuan brengën rreth integritetit, përgjegjësisë dhe funksionimit të gjyqësorit dhe prokurorisë. Fenomene të tilla nuk duhen relativizuar, as të injorohen”, tha Filkov.
Ai tha se moszgjidhja afatgjate e rasteve për korrupsion të madh dhe mungesë të përgjigjes institucionale për dyshime të dukshme e shkatërrojnë besimin në sistem.
“Kur rastet për korrupsion të lartë qëndrojnë me vite pa zgjidhje dhe kur dyshime të dukshme nuk marrin përgjigje institucionale – atëherë qytetarët me të drejtë pyesin: ku është drejtësia?, tha ministri.
Si shembull veçanërisht alarmant, ministri e theksoi rastin me gjyqtarin e apelit te i cili u gjetën 350 mijë euro të vendosura brenda murit.
Ministri tregoi edhe në sfidat serioze në punën e prokurorisë, mes të cilave efikasiteti i pamjaftueshëm, kapacitetet e kufizuara dhe mungesa e vendosmërisë në ballafaqimin me format më të rënda të krimit.
Filkov shtoi se problemet janë sistematike dhe kërkojnë ndërhyrje afatgjate dhe themelore.
Ministria e Drejtësisë, siç njoftoi Filkov, do të reagojë në të gjitha rastet ku ekzistojnë indikacione për keqpërdorime, ndërsa dobësitë në sistem do të adresohen me ndërhyrje institucionale adekuate.


