Kryetari I LSDM-së Venko Filipçe ka reaguar sërish për informacionet se vendi do të pranojë emigrantë nga Britania e Madhe.
Ai tha se nëse ndodh kyveprim, Maqedonisë do t’i mbyllen dyert përgjithmonë në Bashkimin Evropian.
“Nuk e di nëse e keni ndjekur dhe vërejtur se ne na intereson vetëm një gjë: çfarë do të bëjmë me migrantët? Kur duam të shohim një shfaqje, shkojmë në teatër! Kemi migrantë në dyert e shtetit, e unë të flas për gjëra nga e kaluara, për luftë? Mua më intereson e ardhmja e Maqedonisë, por jo çfarëdo e ardhmeje, por ajo evropiane. Si të shkojmë atje nëse pranojmë migrantë? I mbyllim përgjithmonë dyert e Maqedonisë. Përgjithmonë! Kujt ende nuk i është e qartë? Gjithçka me qëllim që të na largojnë vëmendjen nga migrantët”, tha Filipçe.
Ai shtoi se skena politike në vend ofron situata të sajuara, me qëllimin e vetëm të largimit të vëmendjes nga temat me rëndësi për qytetarët.
“Merren me përndjekje politike, kallëzime penale, padi dhe marrëzira nga viti 2018, tani edhe me protesta. Vetëm cirk dhe elefantë në rrugë nuk kanë nxjerrë ende. Nuk dua të merrem me veprime të sajuara dhe të inskenuara që shërbejnë për të shpërqendruar vëmendjen nga problemi kryesor, e ai janë migrantët për para”, deklaroi Filipçe.


