Para se të publikohen gjetjet e analizës së fizibilitetit për funksionimin e shërbimit të Ndihmës së Shpejtë me partneritet publik-privat, në tetor do të zhvillohet debat publik, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, transmeton Portalb.mk.
Sipas Filipçes, në aspekt ekonomik funksionimi me partneritet publik-privat ka logjikë, sepse ajo do të mundësojë rritje të kapacitetit të të punësuarve, gjë e cila sipas tij është problemi më i madh për momentin.
“Në të njëjtën kohë, duam të shikojmë se, a mund edhe ne të arrijmë deri në atë kapacitet të atij niveli, të sigurojmë vazhdimësi të të punësuarve, i cili është problemi më i madh”, tha Filipçe.
Nëpërmjet analizës së realizuar me Bankën Botërore, Filipçe ka deklaruar se, kanë ardhur gjetje interesante:
“Kemi gjetur të dhënë interesante se, kemi numër të veturave të mjaftueshme, dhe se nuk janë të shfrytëzuara mjaftueshëm”.
Përndryshe, studimi i fizibilitetit është gati dhe është realizuar me partneritet publik – privat. Sipas marrëveshjes fillestare ka kushtuar 600 mijë denarë, por janë nënshkruar edhe aneks marrëveshje, ndërkaq gjetjet ende nuk janë publikuar. Realizimi me partneritet publik – privat ka ngjallur reagime negative në publik dhe nga mjekë, se do të privatizohet ndihma e shpejtë dhe do të shkatërrohet mbrojtja shëndetësore. Njohësit e problemeve të shëndetësisë kanë rekomanduar privatizim në pjesën e servisimit të autoambulancave.



