Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka shprehur sot mbështetje të plotë për protestën e organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, si dhe për kërkesat e punëtorëve drejtuar Qeverisë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Dëshiroj të informoj opinionin publik se dje pasdite u mbajt një mbledhje e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, ku morëm qëndrim të qartë për të mbështetur protestën e sotme të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë dhe kërkesat legjitime të punëtorëve ndaj Qeverisë”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se kërkesat e punëtorëve janë reale dhe objektive, duke shtuar se rritja e pagave është e merituar dhe e domosdoshme për mbijetesën e familjeve punëtore në vend. Sipas tij, është për të ardhur keq që janë ndërprerë praktikat e mira nga e kaluara, në kohën kur LSDM ishte në pushtet, kur paga minimale dhe ajo mesatare shënonin rritje të vazhdueshme.
“Paga minimale pothuajse u dyfishua, ndërsa u rrit ndjeshëm edhe paga mesatare, dhe kjo ndodhi gjatë krizave më të mëdha globale – krizës së Covid-19 dhe krizës energjetike”, tha Filipçe.


