Prej këtij muaji hiqen kuotat për barnat me receta në barnatoret në rajonet e vendeve turistike Ohër, Strugë, Dojran, rrethina e Gjevgjelisë dha rajoni Resnjës. Këtë sot e paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili tha se kjo do të vlejë për secilin ilaç i cili do të jetë me recetë, ndërsa të gjitha recetat në këto vende do të realizohen nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.
Ai theksoi se ky është hapi i parë në drejtim të heqjes së kuotave për barnat me receta në të gjitha barnatoret e territorit të gjithë shtetit, të cilin kryeministri Zoran Zaev e paralajmëroi javën e kaluar, ndërsa do të fillojë të vlejë nga momenti kur në bazë të dinamikës së zbatimit të mekanizmave kontrolluese, Fondi do ta zbatojë si masë, gjegjësisht në shtator dhe tetor.
Në këto vende turistike, potencoi Filipçe, disa vite me radhë kishte mungesë të madhe të barnave për shkak të numrit të madh të njerëzve të cilët qarkullonin në to dhe banorët e këtyre qyteteve dhe rajoneve shumë herët gjatë muajit ballafaqoheshin me mungesë të barnave dhe për këtë Ministria ka vendosur për një masë të tillë.
Ministri shtoi se nëse konstatohet se disa mjekë amë ose barnatoret ishin përfshirë në keqpërdorime të tilla, atëherë ato do të përgjigjen.


