Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi sot qeverinë e VMRO-DPMNE-së se ka mashtruar opinionin publik për ndotjen e ajrit në Trubarevë dhe ka dështuar të reagojë me masa urgjente pas zjarrit që ndodhi ditë më parë, njofton Top24
“Qeveria gënjeu se ajri në Trubarevë nuk është i ndotur, reagoi me vonesë dhe nuk mori masa të menjëhershme për mbrojtjen e qytetarëve, përfshirë edhe evakuimin”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se për shkak të këtyre mashtrimeve dhe neglizhencës, pushteti është drejtpërdrejt përgjegjës për helmimin e banorëve në Trubarevë dhe zonat përreth. Sipas tij, të dhënat zyrtare të publikuara gjashtë ditë pas zjarrit tregojnë shifra alarmante: niveli i kadmiumit në ajër ka qenë 12 herë mbi normën e lejuar (59,1 ng/m³ kundrejt 5 të lejuarave), si dhe vlera të larta të arsenit dhe plumbit.
“Ky është ajri që e kanë thithur fëmijët tanë”. paralajmëroi Filipçe, duke e cilësuar situatën si kulmin e joprofesionalizmit, frikës dhe papërgjegjësisë së pushtetit.
Ai kërkoi dorëheqje të menjëhershme nga ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov, si dhe hetim të Prokurorisë Publike për përgjegjësinë penale të të gjithë zyrtarëve që, sipas tij, me mosveprim kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve.