Bashkimi Demokratik për Integrim në mbledhjen e fundit të kryesisë qendrore ka bërë ndryshime të rëndësishme në kupolën e partisë duke i’a besuar postin e sekretarit të përgjithshëm të partisë Atilla Rexhepit ndërsa atë të sekretarit organizativ, deputetit Artan Grubi, shkruan gazeta Lajm.
Ardhjes së Atilla Rexhepit në detyrën e re të cilën në të kalurën e kishte ushtruar tashmë funksionari i ndjeri i BDI-së, Abdilaqim Ademi, i parapriu lajmi që implikonte sekretarin e ri të përgjithshëm të “integristëve” në të ashtuquajturin “Skandali i Diplomave të Doktoraturës”, i publikuar nga disa media në Tiranë, informacione që Rexhepi i demantoi menjëherë pas publikimit. Jo pak i përfolur u bë edhe largimi i zëvendës kryeministrit Hazbi Likës nga posti i sekretarit organizativ dhe zëvendëimi e tij nga deputeti Artan Grubi. Pikërisht këtë lëvizje njohësit e zhvillimeve politike e shohin me më shumë skepticizëm dhe e vlerësojnë si jo të dobishëm për partinë e Ali Ahmetit, shkruan gazeta Lajm.
Opinionsti Arben Llalla thotë se me largimin e Likës nga strukturat e larta partiake, zhduket tërësisht zëri për mbrojtjen e vlerave kombëtare brenda BDI.
“Me largimin në heshtje të Hazbi Likës, njeri nga drejtuesit e lartë të UÇK mbyllet kapitulli i izolimit të faktorit të vërtetë të UÇK-së. Lika ka qenë zëri së vërtetës për mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe ka luftuar brenda BDI që këto vlera mos të nëpërkëmben nga funksionarë të ndryshëm që si parashutë sistemi i shtetit i depërtojë në BDI” thotë Llalla.
“Partia BDI është në rënie dhe këto dy figurat e lartpërmendura nuk janë risi në BDI. Befasira do kemi në muajin shkurt ku do ketë arrestime për keqpërdoruesit e pushtetit shumë vjeçar të BDI-së”, tha Llalla.
Edhe gazetari i njohur Mefail Ismaili, nuk prêt zhvillime positive brenda BDI-së pas ndryshimeve të fundit.
“Largimi i funksionarëve të vjetër dhe zëvendësimi, po ashtu me funksionar të vjetër nuk krijon shpresë tek opinioni se në një parti mund të fillojnë të ndryshojnë gjërat në aspekt pozitiv” thotë Ismaili.
Sipas tij, do të ishte më mirë sikur Lika dhe i ndjeri Ademi të zëvendësoheshin me anëtarë të partisë të cilët nuk kanë bartur asnjë post politik dhe partiak më herët.
“Kjo dëshmon se brenda partisë sillen njerëzit e njëjtë dhe nuk u jepet hapësirë kuadrove të rinj që të dëshmojnë veten dhe që mund të sjellin ndryshime pozitive në një parti e cila tashme mbi 15 vite qëndron në pushtet. Largimi i Likës mund të dëmtojë BDI-në në zgjedhjet e ardhshme, sepse dihet që ai është nga funksionarët e fundit në këtë parti që njihet si Krahu i Luftës” ka thënë Ismaili për gazetën Lajm.
Atilla Rexhepi dhe Hazbi Lika nuk kanë komentuar ndryshimet e fundit në strukturat partiake. Madje, Lika nuk ka qenë fare i pranishëm në mbledhjen e kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim ku u vendos për ndryshimet e reja, ndonëse është anëtar i këtij organi.
Atilla Rexhepi u zgjodh zgjedhur sekretar i përgjithshëm i BDI-së, ndërsa Artan Grubi sekretar organizativ, në mbledhjen e kryesisë qendrore të partisë së Ahmetit që u mbajt të premten e kaluar.
Gazeta Lajm/ Mevludin Imeri